Nga një lagje periferie punëtorësh e Madridit, në finalen e Conference League. Rayo Vallecano e Ivan Balliu, skuadra e 3-të e kryeqytetit spanjoll, ka bërë të lumtur gjithë futbollin iberik, pasi mundi 1-0 Strasburgun dhe shkoi në aktin final të kupës së tretë europiane për nga rëndësia, ku sfidon Crystal Palace.
Kjo fitore e skuadrës së lojtarit të Kombëtares shqiptare, është shumë e rëndësishme edhe për Champions League. Në bazë të klasifikimit të UEFA-s, tashmë Spanja e ka të sigurt pjesëmarrjen me 5 skuadra në kompeticionin më të rëndësishëm europian të klubeve.
Për Championsin 2026-2027 janë kualifikuar Barcelona, Real Madrid, Vilareal dhe Atletico Madrid. Në garë për vendin e fundit mbeten Real Betis dhe Celta Vigo.
Mbi valën e entuziazmit, La Liga shpreson që sezonin e ardhshëm të ketë 9 skuadra në të gjitha kupat. Dy vendeve në Europa League dhe atij në Conference League për vitin e ardhshëm do t’u shtohej një vend në Europa League, nëse Rayo fiton kupën dhe nuk kualifikohet direkt nga kampionati, duke e mbyllur atë pas vendit të 7-të.
Balliu me shokë kanë festuar sipas mënyrës së tyre mbrëmjen e djeshme. Në fillim shkuan tek ultrasit e tyre për t’i falënderuar, pastaj u kthyen në fushë dhe duartrokitën kundërshtarët.