Chelsea ka dalë përsëri në qendër të vëmendjes së medieve dhe autoriteteve të futbollit britanik, pas akuzave të Federatës Angleze (FA) për 74 shkelje të rregullave gjatë periudhës së presidencës së Roman Abramovich-it. Akuzat lidhen me bashkëpunimet me agjentët e lojtarëve dhe investimet e palëve të treta në futbollistë, kryesisht midis sezonit 2010/11 dhe 2015/16.
Sipas deklaratave zyrtare, çështja u zbulua nga pronarët aktualë, konsorciumi i udhëhequr nga Todd Boehly dhe Clearlake, gjatë procesit të kontrollit pas blerjes së klubit në 2022. Ata raportuan çdo parregullsi te FA, e cila më pas nisi hetimet dhe ngriti akuzat. Chelsea ka kohë deri më 19 shtator për të dorëzuar përgjigjet dhe provat që mund ta justifikojnë ose të sfidojnë akuzën.
Për çfarë akuzohet Chelsea
Klubi londinez duhet të përgjigjet për shkelje që përfshijnë marrëdhëniet me agjentët e lojtarëve, përdorimin e ndërmjetësve dhe investimet e palëve të treta në lojtarë. FA do të vlerësojë provat e Chelsea-t përmes një komisioni disiplinor të pavarur. Më pas do të mbahet seanca dëgjimore, pas së cilës pritet vendimi dhe, nëse është e nevojshme, klubi mund të bëjë apel.
Pasojat e mundshme
Nëse akuzat konfirmohen, Chelsea rrezikon një gamë sanksionesh. Gjoba financiare është më e mundshmja, por mund të ndiqen edhe masa ndaj individëve të përfshirë, si drejtuesit ose ndërmjetësit. Pasojat më të rënda mund të përfshijnë heqjen e pikëve në kampionat, nëse shkeljet konsiderohen të kenë dëmtuar integritetin e garave, për shembull përmes regjistrimeve të parregullta të lojtarëve.
Një mundësi tjetër e rëndësishme është bllokimi i merkatos, siç ndodhi më 2019, kur Chelsea mori 29 lojtarë të rinj të huaj nën 18 vjeç pa respektuar rregullat e FIFA-s për mbrojtjen e të miturve. Atëherë FA vendosi bllokimin për dy periudha merkatoje, i reduktuar më pas në një, pas apelimit të klubit.
Chelsea duhet të përgatitet për një proces të vështirë dhe vendime që mund të kenë ndikim afatgjatë në klub, ndërsa 19 shtatori pritet të jetë një datë kyçe për fatin e tyre.