Në ndeshjen e madhe të mbrëmjes në Champions League, Chelsea tregoi forcën duke mposhtur Barcelonën në Stamford Bridge me rezultatin 3-0. Në pjesën e parë, ndeshja u zhbllokua nga një autogol i Koundé, më pas katalanasit mbetën me dhjetë lojtarë para përfundimit të pjesës së parë kur Araujo u përjashtua për kartonin e dytë të verdhë. Në pjesën e dytë, skuadra e Maresca-s dyfishoi epërsinë e saj me anë të Estevao-s dhe vulosi fitoren me Delap.
Ndërsa Chelsea feston, një natë e dobët për dy ekipet e tjera angleze: Manchester City u shemb në shtëpi, i befasuar nga Bayer Leverkusen i rilindur, i cili fitoi 2-0 në Etihad me Grimaldo 23’ dhe Schick 54’, ndërsa Neëcastle kishte shpresë në Velodrome pas golit të parë të Barnes(6’), por u përmbys në pjesën e dytë nga Marseille e De Zerbi, që shënoi dy herë në më pak se pesë minuta me anë të Aubameyang(46’ dhe 50’).
Juventusi mposhti Bodø/Glimt 3-2, duke siguruar fitoren e parë evropiane të sezonit dhe duke u zhvendosur përkohësisht në vendin e playoff-it. Bardhezinjtë luftuan kundër shpejtësisë së norvegjezëve në pjesën e parë, u ndëshkuan nga Blomberg pas një goditjeje nga këndi.
Në pjesën e dytë, skuadra e Spallettit i ndryshoi gjërat me golat e Openda (goli i tij i parë për Juventusin) dhe McKennie. Pak para kohës shtesë, Bodø barazoi rezultatin nga një penallti me anë të Fet, por në minutën e 91-të, David shënoi golin e tij të parë pas tre muajsh dhe i dha skuadrës së tij tri pikët e para në Evropë.
Napoli tregon praninë e tij në Champions. Skuadra e Contes mposhti Qarabag-un 2-0, duke u ngjitur në shtatë pikë në renditje dhe duke u rikthyer në rrugën e duhur për kualifikim. Në stadiumin Maradona McTominay (65′) dhe autogoli i Jankovic (72′) vendosën ndeshjen.
Fiton Dortmundi, 4-0 ndaj Villarreal. Guirassy ishte ylli i mbrëmjes, duke shënuar dy gola, ndërsa Adeyemi shënoi të tretin, për të kompletuar pokerin me Svensson.
Slavia dhe Athletic u ndalën në fund në një barazim pa gola në Pragë.


