Max Verstappen me Red Bull fitoi mbrëmjen e sotme garën sprint të zhvilluar në pistën e Austin, e vlefshme për Çmimin e Madh të Amerikës në Formula 1. Një fitore e rëndësishme për kampionin e botës, pasi rikuperoi 8 pikë të tjera ndaj rivalëve të tij në garën për titull.
Dy makinat McLaren, ato të Lando Norris dhe Oscar Piastri, u përfshinë në një aksident në kthesën parë, duke dalë menjëherë jashtë bashkë gare bashkë me Fernando Alonso. Ai që u konsiderua si një aksident normal gare duket se erdhi pas një kontakti zinxhir, me Hulkenberg që përlasi Piastri e ky shokun e tij të skuadrës.
Gjithsesi, pas hyrjes së makinës së sigurisë, ishte Verstappen ai që dominoi në pistë edhe pse në xhirot e para u përball fort me George Russell (Mercedes), duke dalë të dy në një moment edhe jashtë pistë. Britaniku e mbylli këtë garë në vendin e dytë ndërsa dy pilotët e McLaren nuk morën asnjë pikë.
Në podium u ngjit edhe spanjolli Carlos Sainz me Williams (i treti), ndërkohë që gara u mbyll nën regjimin e makinës së sigurisë. Një aksident tjetër pak xhiro nga fundi mes Stroll dhe Ocon, bëri që makina e sigurisë të hyjë në pistë për të dytën herë, por nuk pati kohë që pista të pastrohej.
Nga gjithë këto incidente nuk përfituan dot dy makinat Ferrari, me Lewis Hamilton që përfundoi në vendin e katërt pas një parakalimi ndaj shokut të tij të skuadrës Charles Leclerc (i pesti). Sërish “kokëkuqja” nuk dueloi dot për podiumin. Në zonën e pikëve edhe Albon, Tsunoda e Berman.