Transferimi i Kristiano Ronaldos në janar të këtij viti nga Mançester Junajtidit tek Al-Nasri në Arabinë Saudite bëri zhurmë të madhe në mediat ndërkombëtare. Por të shumtë ishin ata që kritikuan zgjedhjen e bërë nga portugezi, duke e cilësuar si një përpjekje të dëshpëruar për të qëndruar ende në aktivitet. Ronaldo nga ana e tij e shihte ndryshe.
Në fakt ai shërbeu si një magnet për shumë yje të tjerë që deri dje ndriçonin skenat europiane. Me radhë njëri pas tjetrit iu bashkuan ligës arabe, ku “VIP”-i më i fundit u bë Nejmari, që iu bashkua Al-Hilalit. Koha i dha të drejtë Kristianos, i cili gjatë një interviste të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, e deklaroi hapur se ai ishte nismëtari që hapi rrugën për shumë të tjerë.
Nuk ka mëdyshje se një nga arsyet përse shumë lojtarë kanë zgjedhur të transferohen në Arabinë Saudite janë milionat për të cilat ky vend nuk po kursehet aspak. Nëse në Europë flitet për lojtarë që kushtojnë 100 milionë apo më shumë, në Arabinë Saudite flitet për pagesa 100-milionëshe dhe më shumë.
Jo më kot në një publikim të gazetës “Marca”, për dhjetë lojtarët më të paguar në botë, 8 prej tyre aktivizohen në ligën profesioniste të Arabisë Saudite, natyrisht me Kristiano Ronaldon në krye të piramidës. Vetëm Lionel Mesi (Inter Majami) dhe Kilië Mbape (Paris SG) janë përfaqësues të kontinenteve të tjera në këtë listë.
PANORAMASPORT.AL