Pas hapit fals ndaj Xhenoas, Napoli do të luajë një pjesë të madhe të shpresave për titullin të dielën në mbrëmje në transfertë kundër Parmës.
Një ndeshje që nuk mund të gabojë, sepse nëse është e lehtë të mendohet se Interi nuk do të ketë vështirësi për të fituar në shtëpi ndaj Lacios, të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe “azzurrët” në stadiumin “Tardini”.
Për këtë arsye, Antonio Konte ka mbledhur skuadrën gjatë javës dhe u ka kërkuar “senatorëve” të ekipit që të udhëheqin grupin drejt një arritjeje që dukej e pamendueshme në fillim të sezonit. Lukaku, MekTominej dhe Spinazzola do të jenë shtyllat ku do të mbështetet trajneri nga Pulia.
Ishin pikërisht ata që dhanë sinjalet më të forta në barazimin 2-2 në shtëpi ndaj Xhenoas, ata që besuan dhe luftuan deri në fund, dhe tani do të duhet të jenë ata që do të marrin përsipër rolin e liderëve në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
Me Buonxhornon dhe Lobotkën ende jashtë fushave, rikthimi i tyre parashikohet maksimumi për javën e fundit ndaj Kaljarit, karta surprizë mund të jetë aktivizimi i David Neresh. Në të vërtetë, braziliani ka luajtur disa minuta në fundin e ndeshjes ndaj Xhenoas dhe ato mjaftuan për të lënë gjurmë: ai dha një asist në minutën e 93-të që Billing e shpërdoroi keq, duke humbur mundësinë për tri pikë të arta.
Megjithatë, gjendja fizike e Neresh nuk është ende optimale për ta mbajtur në fushë për nëntëdhjetë minuta, prandaj është shumë e vështirë që ai të jetë titullar.
Por një gjysmë ore, po, atë mund ta luajë, dhe në rast nevoje pritet të hidhet në fushë si armë vendimtare. Përshtypja është se ndaj Parmës, që ende lufton për mbijetesë, do të jetë një ndeshje e ashpër, që do të vendoset nga pak episode. Neresh duket se është njeriu i duhur për të fituar këtë sprint final.
Tani i mbetet Kontes të vendosë kur do të jetë momenti i duhur për t’i kërkuar të bëjë diferencën.