Ish-mbrojtësi i Interit dhe i kombëtares kolumbiane, Iván Ramiro Córdoba, vlerëson trajnerin zikaltër Cristian Chivu, me të cilin ndau suksese si futbollist. “E dini çfarë ka Chivu? Thjeshtësinë. Ai është profesor i thjeshtësisë. Pse? Sepse kështu vepronte edhe kur ishte futbollist. Tani, si trajner, më duket sikur po shoh të njëjtën dinamikë, – deklaroi Córdoba për “Corriere della Sera”.
– Kur luante, ishte mbrojtës i majtë ose qendërmbrojtës dhe e bënte gjithçka me natyrshmëri të jashtëzakonshme. Kur e shihje, ndiheshe i qetë. Pikërisht këtë ka arritur t’u përcjellë lojtarëve të Interit si trajner. Me të, ata kanë rifituar qetësinë mendore dhe e shohin futbollin më thjesht. Kjo pasqyrohet edhe në komunikimin e Cristian: thelbësor, i drejtpërdrejtë dhe i qartë”.
Për shanset në Champions League, Córdoba shtoi: “Interi i ka lojtarët dhe pjekurinë për të shkuar sërish në finale, për herë të tretë. Nuk them se mund të përpiqet, por se duhet ta bëjë këtë. Ky është mentaliteti që duhet të ketë një klub. Chivu e njeh këtë atmosferë që nga koha e tripletës. Sfida është t’ua përcjellë këtë mentalitet lojtarëve dhe gjithë ambientit”.