Barcelona ka mundur të shtunën Realin e Madridit 3-0 në Dallas në një “Klasike” spektakolare.
Rezultati i takimit ka nxitur plot debate.
Nga njëra anë me katalanasit që e shohin si një motiv për sezonin e ri që është te dera.
Dhe nga ana tjetër me madrilenët që e shohin thjesht një miqësore vere dhe premtojnë revansh kur të nisë sezoni. Këtë mendim kanë ndarë dy nga lojtarët e Realit, portieri Thibaut Courtois dhe mbrojtësi Dani Karvahal gjatë intervistave të tyre.
Portieri belg ka zgjedhur profilin e tij në “Instagram” për të qetësuar tifozët e Realit.
“Në parasezon, ndeshjet nuk shërbejnë për të nxjerrë konkluzione mbi rezultatet.
Ne nuk e donim një humbje të tillë, por kjo do të na ndihmojë edhe të rritemi.
Realin e vërtetë do ta shihni kur të nisë futbolli i vërtetë”, shkroi ai.
Më i drejtpërdrejtë ka qenë Dani Karvahal në komentet pas takimit.
Mbrojtësi ia ka bërë të qartë Barçës se në La Liga do të jetë ndryshe.
“Të humbësh ndaj Barcelonës nuk është diçka e mirë, por as nuk duhet ta dramatizojmë, sepse ishte thjesht një miqësore vere.
Jam i bindur që kur të vijnë takimet zyrtare ne do t’i kalojmë ata. Barcelona mund t’i gëzohet kësaj fitoreje, por sezoni është në prag dhe atje do t’i bëjmë llogaritë si duhet”, nënvizoi mbrojtësi i “los blancos”.