Kristiano Ronaldo nuk ndalet së thyeri rekordet. Në këtë kampionat Europian është bërë lojtari që ka marrë pjesë në më shumë Europianë, ai që ka dhënë më shumë asiste 7, duke parakaluar Karel Poborskin.
Por jo vetëm kaq, Këpuca e Artë e “Euro 2020” është lojtari me më shumë ndeshje 28, me më shumë fitore (14) në historinë e këtij kompeticioni. Për më tepër në humbjen kundër Gjeorgjisë për të ishte ndeshja e 50-të mes Europianëve dhe Botërorëve. Pa dyshim, ky kampionat ka sjellë edhe një version të Ronaldos që nuk e kemi parë kurrë. Për herë të parë në një fazë grupesh të një turneu të rëndësishëm, ai nuk ka gjetur golin.
Deri tani ka luajtur 10 të tillë, 5 Europianë dhe 5 Botërorë. Në vitin 2004 shënoi 1 gol, ashtu si edhe në vitet pasardhëse, Botërorin e vitit 2006, Europianin e vitit 2008 dhe Botërorin e 2010-ës. Dy vite më vonë e mbylli me 2 gola fazën e grupeve, ndërsa në Brazil shënoi vetëm 1. Me radhë, 2 gola, 4 gola, 5 gola, 1 gol dhe për të mbërritur tek Europiani i këtij viti me asnjë gol. Por fakti që nuk ka gjetur rrugën e rrjetës nuk ka influencuar shumë në lojë. Ai është futbollisti me më shumë goditje drejt portave kundërshtare (12), i treti që ka çuar goditjet në kuadrat.
Por pa dyshim goli është duke i munguar, të paktën për tani. Kundër Gjermanisë protestoi për një penallti, u ndëshkua me karton të verdhë. Ronaldos i mbeten edhe 2 rekorde të ndryshme për të thyer: Të bëhet lojtari që shënon në 6 Europianë të ndryshëm dhe të thyejë Luka Modriçin, si lojtari më i vjetër që ka shënuar në Europian. Kroati e mban këtë rekord në moshën 38- vjeç dhe 289 ditë. Ronaldo është 39 vjeç dhe 132 ditë. Shumë media kanë filluar të ngrenë dilema dhe pikëpyetje për Kristiano Ronaldon nëse e meriton apo jo vendin e titullarit në kombëtare. “Ai nuk është më i fortë fizikisht, ka humbur shënjestrën dhe sensin e golit. Është një lojtar që po i jepet më shumë hapësirë nga sa meriton. Duhet ta kuptojë edhe vetë”, shkruan “The Guardian”. Megjithatë, Ronaldo ka të gjithë besimin e trajnerit Martinez.
PANORAMASPORT.AL