Pep Guardiola ka një klasifikim në të cilin ai renditet si trajneri më i dobët i Premier Ligës. Bëhet fjalë për rekordin e penalltive të skuadrës së tij.
Asnjë trajner nuk ka një bilanc më të dobët konvertimi nga 11 metra sesa tekniku i Mançester Sitit në Premier Ligë, me vetëm 71% të tyre të përkthyera në gol.
GABIMI I HALANDIT
Dhe një statistikë e tillë erdhi pasi Erling Haland gaboi penalltinë e tij kundër Shefilld Junajtidit muajin e kaluar. Sulmuesi norvegjez goditi shtyllën, ndërsa kishte mundësi që t’i jepte frymëmarrje kampionëve të Anglisë. Megjithatë, fituesit e tripletës arritën gjithsesi që të siguronin një fitore 3-1, ndërsa Haland e korrigjoi gabimin e tij duke shënuar një gol në pjesën e dytë.
Ndeshjen e vulosi goli i Rodrit, ndërsa skuadra e Pol Hekingbotëmit arriti momentalisht t’i ekuilibronte shifrat përmes Xhejdën Bogëlit. Dhe duke parë rekordin e penalltive të “qytetarëve”, Shefilld Junajtidi nuk do ta kishte pasur problem që rivalët të ishin shfaqur përsëri nga pika e bardhë.
VENGER DHE SËR ALEKS
Klubi i Mançester Sitit fitoi 10 penallti në kampionat sezonin e shkuar dhe 9 prej tyre i shndërroi në gol. Arsen Venger dhe Sër Aleks Ferguson, e gjejnë veten në gjashtëshen e parë të trajnerëve që kanë humbur më shumë penallti. Ish-trajneri francez i “topçinjve” ka rekordin e gjashtë më të keq me 77 për qind të 11 metërshave të ekzekutuara nga lojtarët e tij të Arsenalit të pasuksesshme.
Ndërsa Sër Aleks Ferguson ka mesataren e pestë më të keqe me 75 për qind: 27 nga 109 penalltitë e fituara nga Mançester Junajtidi nën drejtimin e skocezit u humbën ose u pritën.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL