Kombëtarja spanjolle ka regjistruar një tjetër episod të çuditshëm, teksa ka zbarkuar në Tbilisi, ku sonte në mbrëmje do të përballet me Gjeorgjinë në takimin kualifikues për “Euro 2024”. Mediat spanjolle kanë bërë me dije se “furia e kuqe” ka mundur të realizojë një seancë stërvitore të veçantë dhe jo në kushtet më të mira të mundshme.
Arsyeja është vërtet banale: delegacioni spanjoll nuk ka pasur me vete në kryeqytetin gjeorgjian pajisjet logjistike dhe materialet sportive të lojtarëve dhe stafit. Siç bën me dije “Marca” bagazhet ku ishin veshjet sportive, këpucët e lojës dhe dorezat e portierëve (mes të tjerave) kanë mbetur në Madrid. Kjo ka bërë që seanca e fundit stërvitore e Spanjës përpara ndeshjes kundër Gjeorgjisë të jetë atipike, me lojtarët që janë stërvitur me atletet e zakonshme, por jo këpucët me taka të lojës. Kjo situatë jo fort normale e ka detyruar trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente që veç seancës së djeshme, sot në orët e para të paradites të zhvillojë një seancë tjetër me materialet e plota, në mënyrë që ta përgatisë sa më mirë takimin e orës 18:00 në Tbilis.
PRECEDENTI – Mbërritja e Spanjës pa dorezat e portierëve dhe pa këpucët e lojës së lojtarëve nuk është rasti i parë i një incidenti të “La Roja”-s në tokën gjeorgjiane. Në mars të vitit 2021, kur Spanja po stërvitej në stadiumin e Dinamos së Tbilisit, vetëm gjysmë ore pas nisjes së seancës stërvitore në stadium ikën dritat. Pas këtij momenti, lojtarët dhe stafi iu drejtuan dhomave të zhveshjes në pritje të zgjidhjes së problemit, por përfunduan vetëm duke bërë dush me dritën e telefonave celularë përpara kthimit në hotel. Për Spanjën kjo është ndeshja e dytë brenda dy viteve në Tbilis, pas asaj të luajtur në vitin 2021 e vlefshme për kualifikueset e botërorit 2022. Dy vjet më parë “Furia e kuqe” fitonte 1-2.
LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL