Ish futbollisti dhe tashmë analisti kosovar i sportit, Taulant Dajaku është deklaruar në lidhje me misionin e Kombëtares së Shqipërisë në ‘Euro 2024’.
Kuqezinjtë do të marrin pjesë për herë të dytë në një kompeticion të madh siç është Kampionati Evropian.
‘GazetaBlic’ ka realizuar dokumentarin ‘Expose’ në lidhje me këtë temë, atje ku Dajaku tha se ky sukses është një dëshmi e qartë e punës së madhe të Sylvinhos.
“Është moment i mirë për shkak të arritjes historike. Çështja osht se tek polemikat me emrat e përveçshëm ka gjithmonë, por nëse e sheh të përgjithshmën, ka një frymë të re që ka sjellur trajneri Sylvinho, dhe me këtë lloj fryme po dëshmon që cilësia e punës e krijon rezultatin edhe produktivitetin. Ky mendoj që është shembulli më i mirë i një rritje që në aspektin sportiv e ka bë Kombëtarja e Shqipërisë. E mira do të ishte që edhe Kosova të ishte kualifikuar në Kampionatin Evropian, do të ishte një arritje e veçantë e llojit të vetë, për shkak se i njëjti komb do të kishte dy përfaqësues në ‘Euro’, por mbetet pjesa e mirë që shqiptarët do të kenë Kombëtaren e tyre që i përfaqëson vlerat atje” deklaroi fillimisht ai.
“Mendoj se duhet ta themi një të vërtetë reale. Udhëtimi i parë i Shqipërisë në Evropian nuk ka qenë krejtësisht vetëm prej fushës. Kemi kaluar në një nivel tjetër, jemi tek një moment ku aspekti fushë e ka përcaktuar kualifikimin, sepse Shqipëria mposhti dy kombëtaret që në letër cilësoheshin shumë të forta. Sa i përket grupit në ‘Euro 2024’, mendoj që jemi me fat për shkak se vetëm Shqipëria mund të luajë në grup atë që cilësohet si çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale. Nuk duhet harruar asnjëherë që futbolli nuk është një matematikë ku 1+1 bëjnë 2. Nganjëherë ndodh që 1+1 bëjnë 3 ose 4″.
Tutje, Dajaku tha se kundërshtarët e Shqipërisë janë emra të mëdhenj, por asnjëri prej tyre nuk e ka lavdinë që kishte dikur. Ai tha se Shqipëria duhet të ketë besimin e duhur, sepse kjo skuadër mund të bëjë gjëra të mëdha në Evropian.
“Nëse e shohim Kroacinë, pjesa e historisë që ata e kanë në këto kompeticione është e jashtëzakonshme, ashtu edhe Italinë. Mirëpo, mund të themi që Italia nuk është më ajo Italia e frikshme. I shohim mediet italiane se si reagojnë për publikimin e listës: A jemi na aq të magjishëm sa kemi qenë dikur, deklarojnë ata. Në këto lloj kuptimi, besoj që Shqipëria duhet të ketë besimin e duhur dhe kjo forca e grupit që është ndërtuar, mund të bëjë gjëra të paparashikueshme. Spanja poashtu nuk është një kombëtare e magjishme siç ka qenë dikur. Sigurisht është një kombëtare me potencial shumë, por ajo do të jetë vetëm një ndeshje që do ta kenë në një stadium, ku unë besoj që në aspektin e përkrahjes nga tifozët shqiptarë do të jetë e jashtëzaonshme. Në këtë formë, e kemi të përligjur të drejtën për të bërë diçka të jashtëzakonshme, sepse është një rast i madh ku Kombëtarja Shqiptare që përfaqëson 12-13 milionë shqiptarë gjithandej botës, në ditën që do të luhen ndeshjet, nuk do të ketë vetëm 11 lojtarë në fushë, por 12 milionë shpresa për të bërë diçka të jashtëzakonshme”, përfundoi Dajaku.
/GazetaBlic Sport/