Episodi i shumëpritur i “Bordocam” është publikuar në DAZN, duke sjellë pamje ekskluzive nga ndeshja mes Inter dhe Atalanta në javën e 29-të të Serie A, një sfidë që prodhoi emocione të mëdha dhe polemika të forta në fund.
Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, Denzel Dumfries iu drejtua gjyqtarit Gianluca Manganiello duke kërkuar shpjegime: “Më shpjego, më shpjego”, në lidhje me një episod të diskutueshëm për golin e barazimit që nuk u akordua.
Situata u tensionua më tej kur Aleksandar Kolarov u afrua për të kërkuar llogari nga arbitri. Në atë moment, Marten de Roon ndërhyri duke kaluar para tij, çka solli një shtytje nga Kolarov. Mesfushori i Atalantës reagoi menjëherë me një shtytje të kthyer, duke ndezur një përplasje mes lojtarëve.
Stolat e të dy skuadrave ndërhynë menjëherë për të shmangur përshkallëzimin e situatës, por tensionet nuk u shuan plotësisht.
Në incident u përfshi edhe kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Giimshiti, i cili i bëri të qartë serbit se këtë çështje do ta zgjidhte në tunelin e stadiumit jashtë fushës së blertë.
Megjithatë nuk ka ende informata nëse dyshja ka pasur përplasje edhe pasi janë futur në dhomat e zhveshjes. /Telegrafi/