Diogo Dalot është treguar i guximshëm duke thënë se Mançester Junajtid mund të fitojë Premier Ligën nën drejtimin e trajnerit të ri Ruben Amorim. Trajneri portugez ka pasur tre muaj të parë të trazuar në detyrë në “Old Trafford”, me klubin që aktualisht ndodhet në vendin e 13-të në tabelë.
“Djajtë” janë duke bërë një prej sezoneve më të dobëta në historinë e tyre, madje rezultatet jo vetëm që nuk janë përmirësuar nga largimi i Erik ten Hagut, përkundrazi, janë përkeqësuar. Mançester Junajtid nuk e ka fituar titullin kampion që nga sezoni i fundit i Sër Aleks Fergusonit në stol, në vitin 2013.
Megjithatë, Dalot beson se Amorim i ka treguar grupit mjaftueshëm që ata të ndjejnë se ai është personi i duhur për të rikthyer lavditë e së kaluarës. Duke folur për klubin lokal të tifozëve të Junajtidit përmes faqes së internetit të klubit, ai tha:
“Me këtë trajner, unë mendoj se ne mund të fitojmë një Premier Ligë. Realisht, ne mund të fitojmë. Por më pas bëhet gjëja më e vështirë të dëgjosh si tifoz: se do të duhet kohë për ta bërë këtë. Unë e kuptoj. Unë jam një futbollist.
Por, në të njëjtën kohë, e di se çfarë ndjeni. E di që ky klub është i etur për të fituar dhe të gjithë duan të fitojnë. Ne nuk po flasim për kupat. Unë e di që është e rëndësishme të fitosh trofe, por ajo që e solli këtë klub në atë që është janë trofetë e mëdhenj. Unë mendoj se mund të fitojmë një titull Premier Lige me këtë trajner, por në të njëjtën kohë, ne duhet të krijojmë një mjedis ku ai të ketë gjithçka për atë që dëshiron nga lojtarët.
Ne gjithashtu duhet të përshtatemi me sistemin. Do të duhet pak kohë. Natyrisht që ne nuk mund të mendojmë shumë larg, por unë jam vërtet i bindur se mënyra se si ai sillet, mënyra se si komunikon me lojtarët, ideja që ai ka… ne mund ta bëjmë këtë”.
PANORAMASPORT.AL