Kasper Hjulmand ka dhënë dorëheqjen nga roli i tij si trajner i ekipit kombëtar të Danimarkës pas ecurisë së tyre pa fitore në EURO 2024, njoftoi të premten Federata Daneze e Futbollit (DBU).
Morten Ëieghorst, i cili ishte ndihmës i Hjulmand nga viti 2020 dhe gjithashtu ish-trajneri i ekipit nën-21 të Danimarkës, do të marrë detyrën si trajner i përkohshëm kombëtar deri në vitin 2025.
Pas katër vitesh në krye të Danimarkës, Hjulmand tha se skuadra kishte nevojë për energji të re dhe kishte kërkuar që kontrata e tij, e vlefshme për një vit tjetër, të anulohej, përcjellë KosovaPress.
Danezët kanë qenë pa fitore në shtatë ndeshjet e tyre të fundit radhazi në turnetë e mëdha – Kupën e Botës 2022 dhe Kampionatin Evropian 2024, duke shënuar vetëm tre gola.
Një disfatë 2-0 nga Gjermania nikoqire në 1/16-ën e fundit, bëri që Danimarka të dilte nga Euro me mungesën e fuqisë sulmuese që fajësohej për zbehjen e mundësive të saj në turnetë e mëdha.
“Kam dhënë gjithçka që kam pasur për të arritur sukses dhe për t’i bërë njerëzit të mblidhen rreth ekipit. Të përfaqësosh vendin e dikujt është absolutisht gjëja më e madhe që mund të imagjinoj,” tha trajneri në një deklaratë.
“Kur shoh dy vite përpara Kupës së Botës 2026, mendoj se do të jetë më mirë për ekipin që të vijë një fytyrë e re me ide të reja, e cila mund të shkruajë një kapitull të ri të madh për këtë ekip të mrekullueshëm. Prandaj është më mirë që dikush tjetër të udhëheqë ekipin përpara. Nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me atë që është më e mira për ekipin”, shtoi ai.
Hjulmand udhëhoqi Danimarkën në gjysmëfinalen e Euro 2020 dhe u vlerësua për ecurinë e tyre mbresëlënëse në kualifikueset e Euro 2024.