Këtë muaj, Kombëtarja e Kosovës në futboll do të rikthehet në aksion me dy ndeshje që do t’i luaj në kuadër të Ligës së Kombeve.
Të martën, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka publikuar orarin e dy përballjeve të “Dardanëve” që do t’i zhvillojnë këtë muaj në kuadër të Grupit C2 të Ligës C.
Ndeshjen e parë të tetorit, Kosova e luan në udhëtim tek Lituania, e cila luhet më datën 12 tetor në Kaunas prej orës 15:00.
Ndërkohë, tri ditë më vonë, pra më 15 tetor, Kosova rikthehet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për t’u përballur me Qipron, ndeshje kjo që starton në orën 20:45.
Pas dy ndeshjeve të luajtura në Ligën e Kombeve, Kosova ka tubuar tri pikë pasi ka regjistruar një humbje dhe një fitore.
Në duelin e parë të sezonit të ri të kësaj gare, Kosova u mposht në Prishtinë nga Rumania 3:0, përpara se të triumfoj në udhëtim tek Qipro me shifrat 4:0.
Grupit i prinë Rumania me 6 pikë, e ndjekur nga Kosova e Qipro me 3 pikë dhe Lituania është e fundit pa pikë.