Futbollistet e Kombëtares së Kosovës kanë pësuar edhe humbjen e dytë në po aq ndeshje të luajtura në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”.
Pas humbjes që e pësuan javën e shkuar në Turqi nga Ukraina 2:0, Kosova pësoi edhe të martën nga Uellsi por me rezultat më të thellë. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Uellsi triumfoi me rezultatin 6:0 për ta regjistruar fitoren e dytë rresht në këto kualifikime. I prinë Grupit 4 të Ligës B me gjashtë pikë të mbledhura, pasi në ndeshjen e parë triumfoi 4:0 ndaj Kroacisë.
Rachel Rowe në minutën e 30-të e kaloi Uellsin në epërsi, përpara se Kayleigh Barton në minutën e 44-t të realizoj për 2:0, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, Uellsi shënoi edhe katër gola tjerë për rezultatin final të ndeshjes. Rowe shënoi golin e dytë personal në minutën e 60-të për 3:0, ndërsa dy minuta më vonë, Ffion Morgan e ngriti epërsinë në 4:0. Dy golat tjerë për Uellsin në këtë përballje i realizoi Elise Hughes në fund të takimit. Ndeshjet e radhës, Kosova i ka në muajin qershor ndërsa për herë të parë po paraqitet në Ligën B të Ligës së Kombeve, në të cilën u promovua nga Liga C.