Saturday, 18. April 2026
Sport

“Dardanet” në aksion, synohet triumfi i radhës kundër Bullgarisë

GS 18/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave do të përballet sot me Bullgarinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Kosova aktualisht kryeson Grupin C2 me nëntë pikë nga tri ndeshje, ndërsa pas saj renditet Kroacia me gjashtë pikë. Bullgaria ka tri pikë, ndërsa Gjibraltari mbetet pa pikë.

Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj synon një tjetër fitore, e cila do ta forconte pozitën e parë në grup dhe do ta afronte ekipin drejt objektivit për kualifikim.

Në përballjet e deritashme mes dy ekipeve, Kosova ka dominuar me gjashtë fitore dhe një barazim.

Futbollistet e Kosovës janë optimiste para kësaj sfide, duke theksuar se synojnë paraqitje më të mirë krahasuar me ndeshjen e parë. Një tjetër triumf do të ishte hap i madh drejt sigurimit të vendit të parë dhe avancimit në fazën “play-off”, si dhe promovimit në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Ndeshja zhvillohet sot më 18 prill, nga ora 18:00 dhe vjen pas fitores së rëndësishme që “Dardanet” e arritën në Sofje me rezultat 3-1, duke dëshmuar formë të mirë në këtë cikël garash.

Teilen: