Ekspedita e Përfaqësueses së Kosovës ka mbërritur në Bukuresht, një ditë para ndeshjes me Rumaninë.
“Dardanët” të martën mbrëma do të përballen me Rumaninë, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian, shkruan lajmi.net.
Stafi dhe futbollistët e Kosovës janë nisur sot nga aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërkohë që pak minuta më parë FFK-ja njoftoi se ata kanë zbarkuar tashmë në kryeqendrën rumune.
Kosova do ta mbajë seancën e fundit stërvitore para kësaj sfide sonte në orën 19:30 sipas kohës lokale në Bukuresht, derisa paraprakisht në orën 19:00 mbahet konferenca për media.
Kosova dhe Rumania janë në Grupin I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Lidere e grupit është Zvicra me 11 pikë, dy më pak ka Rumania. I treti është Izraeli me tetë pikë, katër ka Bjellorusia po aq sa Kosova. E fundit në grup është Andorra me dy pikë./Lajmi.net/