Monday, 10. August 2026
Futboll

Darwin Nunez “zbulon” transferimin e Araujos te Liverpooli

GS 10/08/2026 2 Min. Lesezeit

Darwin Nunez ka bërë një lëvizje të papritur, duke zbuluar transferimin e Ronald Araujos te Liverpooli, madje përpara se vetë klubi anglez ta konfirmonte zyrtarisht.

Sulmuesi uruguaian, i cili verën e kaluar u largua nga Liverpooli për t’iu bashkuar Al-Hilalit, publikoi në rrjetet sociale një fotografi me Araujon dhe i uroi mirëseardhjen te ish-klubi i tij.

Sipas raportimeve, Liverpooli ka arritur marrëveshje me Barcelonën për huazimin e mbrojtësit për një sezon. Në marrëveshje përfshihet edhe opsioni që klubi anglez ta blejë përfundimisht Araujon verën e ardhshme, për një shumë që raportohet të jetë rreth 47 milionë funte.

Por ndërsa Liverpooli ende nuk kishte bërë asnjë njoftim zyrtar, Nunez duket se vendosi të mos priste më.

“Mirë se erdhe në këtë klub të madh, mik. Jam shumë i lumtur që do ta përjetosh dashurinë dhe mbështetjen e tifozëve të Liverpoolit. Ata janë të veçantë. Tani edhe ti je një Red. VAMO ARRIBA!”, shkroi Nunez.

Postimi shkaktoi menjëherë reagime të shumta nga tifozët, të cilët me humor vunë re se uruguaiani e kishte “njoftuar” transferimin përpara klubit.

Araujo pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për mbrojtjen e Liverpoolit, veçanërisht pas largimit të Ibrahima Konates drejt Real Madridit.

27-vjeçari ka kaluar tetë vite te Barcelona, ku ka zhvilluar 213 ndeshje dhe ka fituar tre tituj të La Ligës, së bashku me pesë trofe të kupave vendore.

Teilen: