Kevin de Bryjne ka sqaruar marrëdhëniet e tij me menaxherin e Mançester Sitit, Pep Guardiola, pasi frymëzoi kampionët e Premier Ligës në një fitore 3-0 ndaj Notingem Forestit, e cila ndërpreu serinë e rezultateve negative.
Fitorja ishte e para e tyre në shtatë ndeshje, e padëgjuar për një skuadër të Guardiolës apo për një ekip të nivelit aktual të Mançester Siti. Dëmtimet kanë luajtur një rol të madh, duke përfshirë 33-vjeçarin De Bryjne, i cili ka bërë vetëm gjashtë starte gjatë gjithë sezonit dhe është prekur nga dëmtimet në dy vitet e fundit. Por ndërsa mungesat e tij e fundit në formacion nuk janë raportuar se kanë ardhur plotësisht nga mjekësia, belgu e bëri të qartë pas ndeshjes se “hernia e tij sportive” dhe natyra e ndërlikuar e çështjes është shkaku i vetëm dhe nuk është për shkak të një faktori të jashtëm.
“Ka qenë një dëmtim i pakëndshëm, një mister dhe një enigmë,” shpjegoi ai. “Po përmirësohem ngadalë. Kam mundur të luaj shumë minuta dhe nuk ndihem keq. Është një lehtësim. Shumica prej nesh kanë pasur karrierë përpara Sitit, kështu që unë kam luajtur për të mos rënë nga kategoria. Prandaj mund të jetë shumë më keq. Ka qenë një kohë e vështirë. Ne nuk kemi qenë në nivel. Kemi pasur dëmtime, etj. Me këtë rezultat bëmë një hap të parë për t’u përmirësuar. Është pozitive që të ndryshojmë kurs. Në disa ndeshje që humbëm, kishte periudha që nuk luajtëm keq. Unë e di që janë thënë shumë gjëra, por nuk ka pasur kurrë probleme mes meje dhe Pepit. Ai e di se unë kam pasur probleme (me një hernie sportive). Është e dhimbshme dhe bezdisëse. Unë dua të rikthehem në fushë. U ndjeva mirë në fillim të sezonit. Unë jam duke punuar shumë me trupin tim për t’u rikthyer. Ndoshta do të jetë një moment me ulje ngritje nga tani. Shpresoj që të mund të kthehem në trupin tim pa shumë dhimbje dhe më pas do të jem mirë”.
Ai shënoi dhe shërbeu një gol në fitoren ndaj Forestit, dhe me Liverpulin që u ndal 3-3 nga Njukasëlli, kjo do të thotë se hendeku prej 11 pikësh që “Reds”-at krijuan ndaj kampionëve aktualë, pasi i mposhti ata në fundjavë, tashmë po zvogëlohet. Nëse Siti do të bëjë një rikthim spektakolar nga tani deri në maj, rikthimi në formë i liderëve aktualë është një domosdoshmëri dhe me De Bryjnen që ndizet në momentin e duhur, kjo nuk mund të përjashtohet.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL