Kevin de Bryjne thotë se nuk është i sigurt nëse ky do të jetë sezoni i tij i fundit te Mançester Siti, pasi pezulloi bisedimet për zgjatjen e kontratës.Mesfushorit 33- vjeçar i skadon kontrata në fund të sezonit, por i ndërpreu negociatat ndërsa po rikuperohej nga një problem muskulor në kofshë të pësuar në shtator. Belgu ka pasur një minutazh të kufizuar, me nëntë paraqitje këtë sezon, por ka hyrë si zëvendësues në secilën nga tre ndeshjet e fundit të Sitit, teksa po rikthehet në formë të plotë.
“Natyrisht që kur fillova sezonin e dija se do të ndodhnin bisedime, por më pas pata atë dëmtim në kofshë kundër Brentfordit dhe e lashë atë në anash”, tha De Bryjne në konferencën e djeshme përpara duelit në Champions me Fejnordin.
“Shpresoja që të mungoja për ditë, por përfundoi tetë ose nëntë javë dhe së pari do të preferoja të rikthehesha dhe të gjitha të tjerat do të vijnë më pas. Nuk jam shumë i fiksuar pas gjërave, por nuk mund të them shumë. Jam mirë, jam i lumtur, thjesht dua të luaj sërish futboll dhe do të shohim. Bisedimet do të vijnë, nëse nuk do të vijnë, do të jetë viti im i fundit. Unë thjesht dua të luaj futboll të mirë”.
De Bryjne shtoi se kishte folur me klubin për të ardhmen e tij verën e kaluar, por “nuk ishte në kuadrin e duhur mendor” për të vazhduar bisedimet pas dëmtimit të tij. Kapiteni i Belgjikës u transferua në “Etihad” nga klubi i Bundesligës, Volfsburgu, në vitin 2015 për një tarifë prej 55 milionë paundësh. Pep Guardiola iu bashkua klubit një vit më vonë dhe ndihmoi në zhvillimin e lojtarit në një mesfushor qendror. “Ai dëshiron ta mbyllë këtu në formën e tij të mirë”, tha Guardiola.
“Unë nuk mendoj se ai do të jetë këtu kur ai beson se nuk ndjen se mund të jetë Kevini që mund të prodhojë dhe ndihmojë ekipin siç ka bërë në dekadën e fundit”. Ish-mesfushori i Çelsit tha se ishte “i hapur për gjithçka” verën e kaluar, pasi u përfol për një lëvizje në Arabinë Saudite. Ai tha se nëse ai do të kalonte dy vjet në Arabinë Saudite, ai do të ishte “në gjendje të fitonte një shumë të jashtëzakonshme parash”.
PANORAMASPORT.AL