Kevin De Bryjne ka vënë në gatishmëri klubet e Arabisë Saudite duke zbuluar se është i hapur për t’u larguar nga Mançester Siti këtë verë.
Kontrata e 32-vjeçarit me kampionët e Premier Ligës skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe pa asnjë indicie të qartë për të ardhmen e tij në Angli, De Bryjne po peshon opsionet e tij. “Mail Sport” zbuloi në shkurt se zyrtarët e Pro Ligës Saudite janë gati të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të joshur De Bryjnen të largohet nga Premier Liga. Dhe tani, i pyetur në lidhje me mundësinë e një transferimi në Lindjen e Mesme, ylli belg, i cili aktualisht fiton 300 mijë paund në javë te Siti, pranoi se shifrat e pabesueshme të parave që ofrohen në këtë vend e bëjnë atë një destinacion tërheqës që do të ishte e vështirë të refuzohej.
“Kam ende një vit në kontratën time, kështu që duhet të mendoj se çfarë mund të ndodhë”, tha ai për gazetën belge “Het Laatste Nieuws”.
“Fëmija im më i madh tani është tetë vjeç dhe nuk njeh asnjë vend përveç Anglisë. Ai gjithashtu pyet se sa kohë do të luaj për Sitin. Kur të vijë momenti, ne do të duhet ta analizojmë atë. Në moshën time duhet të jesh i hapur për gjithçka. Ju po flisni për shuma të jashtëzakonshme parash në atë që mund të jetë fundi i karrierës sime. Ndonjëherë duhet të mendosh për këtë”.
32-vjeçari shtoi: “Nëse luaj atje për dy vjet, do të jem në gjendje të fitoj një shumë të jashtëzakonshme parash. Para kësaj më është dashur të luaj futboll për 15 vjet dhe mund të mos e arrij ende atë shifër. Atëherë duhet të mendoni se çfarë do të ndodhë më pas. Por për momentin nuk më është dashur të mendoj ende për këtë”.
Ideja e largimit nga Mançester Siti ka qenë diçka për të cilën mesfushori tha se ka folur gjerësisht me gruan e tij Mishel Lakrua. Modelja thuhet se është e hapur ndaj një aventure ekzotike, duke forcuar më tej besimin e klubeve të interesuara për De Bryjnen, për të cilin gjithashtu ka interes nga klubet e MLS. Dhe në këto kushte, ai mund të joshet nga një ofertë këtë verë.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL