Mesfushori Rodri është ndihmesë e madhe për përfaqësuesen e Spanjës në “Euro 2024”. Kështu ka deklaruar selektori Luis de la Fuente.
Rodri të dielën mbrëma e realizoi golin e parë të Spanjës në fitoren 4:1 ndaj Gjeorgjisë, në një të tetën e finales. Ai u vlerësua nga UEFA si lojtar i ndeshjes.
De la Fuente është shprehur i kënaqur me Rodrin, sidomos për qetësinë që e shfaq në ndeshje.
“Kishte nervozizëm, por ne e kthyem qetësinë dhe lojën tonë dhe pamë një ekip që besonte në atë që bënte. Në pjesën e parë ne folëm që të luajmë në qetësi dhe lojtarët e kuptuan këtë. Kemi Rodrin i cili kontrollon gjithçka, emocionet, të gjitha momentet jo të këndshme në ndeshje. Kjo është një ndihmë e madhe për të gjithë”, ka theksuar De La Fuente.