T ri ndeshje dhe tri fitore. Kështu e ka nisur Span ja e Luis de la Fuentes në “Euro 2024”. Është diçka që më parë ka mundur ta bëjë vetëm Luis Aragones (2008), që përfundoi në apoteozën e Vjenës. Në Europianin në Gjermani, Spanja ka siguruar kualifikimin për në 1/8 e finaleve dhe të dielën në Shtutgart do të përballet me Gjeorgjinë e Kvaratskelias.
Një ndeshje, që veç biletës për në 8 më të mirët e Europianit, mund t’i japë dhe një rekord të ri trajnerit Luis de la Fuente. Trajneri aktual i “La Roja”-s shfaqet me sfidën për tu bërë i pari që arrin katër fitore radhazi në një kampionat europian. Deri tani kufiri është tre, sepse duhet të kujtojmë se për UEFA-n dhe FIFA-n, ndeshjet që zgjidhen në penallti konsiderohen si barazim.
Në “Euro 2012”, që gjithashtu përfundoi në një festë spanjolle, skuadra e Del Boskes mundi Irlandën, Kroacinë dhe Francën në grupe, por vendi i tyre në finale erdhi me penallti kundër Portugalisë. Gjithashtu me Del Bosken në krye, skuadra arriti dy fitore në vitin 2016, gjë që shtoi fitoren katërvjeçare në finalen e Kievit. Por grupi u mbyll me humbjen ndaj Kroacisë në Bordo, në një rrugë që do të përfundonte në fazën e 1/8 kundër Italisë në “Saint-Denis” (Paris).
Pjesa tjetër e trajnerëve të kombëtares spanjolle që kanë qenë në Europianë nuk kanë fituar më shumë se dy ndeshje radhazi. Ata ishin ato Vijalonga në vitin 1964 (Hungari dhe Bashkimi Sovjetik) për t’u bërë kampion. Në vitin 1980, Kubala nuk fitoi asnjë nga tre ndeshjet. Spanja e Munjoz arriti në finalen e vitit 1984 me vetëm një fitore, kundër Gjermanisë. Finalja u arrit me penallti kundër Danimarkës. Edhe në Europianët në vijim rezultatet ishin zhgënjyese, deri kur nisi cikli madhështor me Luis Aragones dhe Visente del Bosken.
SHQETËSIMI – De la Fuente është fare pranë vendosjes së një rekordi të ri. Por Gjeorgjia duket se ka nisur ta shqetësojë teknikun e “La Roja”-s. Ndonëse në letër gjeorgjianët shihen të kalueshëm, De la Fuente kërkoi kujdes. “Respekt maksimal për një rival që po zhvillon një turne të madh, që ka mposhtur Portugalinë në një ndeshje të madhe. Nga përvoja që kemi ndaj tyre, kemi parë se ata janë përmirësuar dhe përparuar shumë në paraqitjen e tyre. Ne do të duhet të japim versionin tonë më të mirë, siç kërkojmë gjithmonë nga vetja, për të pasur një shans për të kaluar dhe fituar këtë ndeshje”, deklaroi trajneri i Spanjës.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL