Sunday, 5. April 2026
Sport

Debati për stadiumin nacional të Kosovës rikthehet: Drenasi në qendër të vëmendjes, tifozët presion për impiant modern

GS 05/04/2026 5 Min. Lesezeit

Debati për ndërtimin e stadiumit nacional në Kosovë po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes, i nxitur nga kërkesa gjithnjë e më e madhe e tifozëve dhe mungesa e kapaciteteve aktuale për t’i përballuar ato. Interesimi masiv për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, ka nxjerrë në pah kufizimet serioze të stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa institucionet dhe akterët e ndryshëm vazhdojnë të diskutojnë për zgjidhjen më të mirë dhe më të shpejtë për ndërtimin e një impianti të ri modern.

Në këtë kontekst, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vënë theksin tek presioni i jashtëzakonshëm nga tifozët dhe pamundësia për t’i përmbushur kërkesat për bileta. Ai ka nënvizuar nevojën urgjente për një stadium të ri që përmbush standardet ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri të menjëhershme për futbollin kosovar.

“Na duhet me çdo kusht dhe me një shpejtësi, siç thonë, të dritës së syrit, është një stadium nacional apo një stadium, qysh do ta quajnë, i cili i plotëson kriteret dhe kushtet, sepse jemi shumë të ngushtuar nga popullata jonë, nga tifozët tanë që nuk po mundemi me iu bë vend në stadiumin “Fadil Vokrri”. Besoni, kanë qenë më shumë se 300 e sa mijë, rreth 400 mijë kërkesa në platformë për një biletë. Kur i ke parasysh që i heqin disa bileta që janë për evakuim, disa që i takojnë kundërshtarit, ne mbesim diku me pak se 10 mijë bileta për shitje”.

Tash e sa vite, problemi më i madh për ndërtimin e këtij stadiumi ka qenë çështja e lokacionti se ku do të ndërtohet, me Drenasin dhe Bërrnicën në Prishtinë si dy vendet më të përfolura. Por duket se ka zhvillime të reja në këtë drejtim.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, në një intervistë për emisionin “SportCast” në KosovaPress, ka theksuar se aktualisht një nga alternativat më të realizueshme mbetet zona e Drenasit.

“Unë nuk është se lobojë për një pjesë gjeografike për arsye që jam i lidhur, mirëpo do të shoh opsionet, momentalisht opsioni më real është ai për arsye që janë bërë edhe disa hapa nga Komuna e Drenasit, shumica e qytetarëve tanë kur përmendet lokacioni në komunën e Drenasit mendojnë që është diku thellë në rajonin e Drenasit. Unë jam i lindur dhe i rritur në atë pjesë dhe e di mirë atë pjesë, mirëpo duhet ta dinë që është administrativisht dhe gjeografikisht në komunën e Drenasit por është shumë afër aeroportit tonë, është pika e fundit në mes të rajonit të Drenasit dhe Fushë Kosovës në atë pjesë, kështu që është një rajon, nuk po them me këtë se po lobojë për atë rajon, për atë pjesë, mirëpo unë jam idhtarë i asaj që le ta bëjmë punën që të ndërtohet stadiumi, nuk ka rëndësi shumë a do të jetë aty apo diku tjetër sepse ekipet profesionale do të thonë punën e tyre, nuk është se ne do ta zgjedhim vetëm politika një lokacion apo vetëm komuna apo vetëm federata por ekipet profesionale, ekipet shumë profesionale do të merren me këtë punë”, deklaroi Gashani në “SportCast”.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbrojtur fuqishëm projektin ekzistues për ndërtimin e stadiumit në këtë komunë. Ai ka theksuar investimet e deritanishme dhe ka paralajmëruar për pasoja të mëdha financiare nëse ndryshohet lokacioni, duke e konsideruar këtë si një dëm të panevojshëm për buxhetin dhe projektin në tërësi.

“25 hektarë janë ndarë për këtë qëllim, që është e mjaftueshme për stadiumin dhe për gjithë asetet ndihmëse, parkingjet, stadionet ndihmëse, hotelet e kështu me radhë, me u ndërtuar në atë pronë. Pastaj është bërë fizibiliteti rreth 1 milion e gjysmë, është bërë projekti i stadiumit, se është bërë përurimi i tij në Prishtinë e kështu me radhë, janë diku rreth 10 milionë euro që janë shpenzuar. Dhe nëse dikush dëshiron, provon për ta larguar, të themi, pse stadiumi po është në territorin e Drenicës, e ka gabim. Së pari, do të bëjë gjakderdhje financiare. Është gjakderdhje financiare 10 milionë janë paguar, plus 15 milionë dollarë janë humbur nga BERRZH-i, i cili ka pasur ta bëjë parkun dy të Drenasit, parkun industrial, e kështu me radhë. Janë rreth 25 milionë euro. Kushdo që provon të bëjë gjakderdhje, atëherë le të provojë. Unë sigurisht që me letra punoj shumë, edhe besoj që do ta fitoj çdo proces. Por jam shumë i bindur që tash edhe ministri aktual i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është edhe vetë nga Drenasi, s’besoj që dikush do t’i thotë nuk bën të bëhet në Drenas”, theksoi Lladrovci.

Edhe pse ende nuk ka pasur një takim zyrtar me ministrin e ri të sportit, Blerim Gashani, Lladrovci shprehu besimin se duke qenë se edhe vetë ministri është nga Drenasi, projekti do të vazhdojë sipas planit.

Ai përmendi se tashmë është formuar një komision nga ministria, Komiteti Olimpik dhe federatat përkatëse, i cili do të bëjë vlerësimin final./kp

Teilen: