Shkëndija sonte në Madrid të Spanjës luan ndeshjen e parë në histori në fazën kryesore të një kompeticioni Evropian, ndërsa para duelit me Rayo Vallecanon para mediave spanjolle nga tabori kuqezi folën trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi.
Jeton Beqiri: “Është një ndeshje e rëndësishme për ne si klub, si staf teknik, si futbollist dhe për të gjithë të tjerët që janë të angazhuar në klub për shkak se është historike sa i përket debutimit tonë në Ligën e Konferencës. Gjithashtu është e jashtëzakonshme që do të luajmë me një ekip të një kampionati shumë të respektuar”.
Besart Ibraimi: “Është ndeshje historike për të gjithë ne. Jemi të kënaqur që kemi arritur deri këtu, jemi të gatshëm ta japim maksimumin, e dimë se me çfarë kundërshtari luajmë nesër. E vlerësojmë dhe është për tu vlerësuar, e jona është të dalim në fushë, të japim maksimumin dhe të shpresojmë që te futbolli nuk fiton gjithmonë më i miri”.
Kuqezinjtë kanë kryer të mërkurën mbrëma seancën e fundit stërvitore për ndeshjen debutuese në fazën kryesore të UEFA Conference League, kur përballë Rayo Vallecanos në “Estadio se Vallecas” të Madridit do të luajnë ndeshjen e parë dhe historike në grupet (tashmë faza e ligës) e një kompeticioni europian.
Dueli Rayo-Shkëndija luhet të enjten me fillim në orën 18:45.