Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur me tone të forta gjatë pushimit ndërkombëtar, duke analizuar momentin e vështirë që po kalon skuadra pas dy humbjeve radhazi, ndaj PSG-së në Champions League dhe Sevilla-s në La Liga.
Në një intervistë për ‘Catalunya Ràdio’, ish-mesfushori portugez theksoi se cilësia individuale nuk mjafton nëse mungon përkushtimi kolektiv:
“Nuk jemi aq të mrekullueshëm sa na e kanë përshkruar sezonin e kaluar. Jemi një skuadër e madhe vetëm kur punojmë fort, kur jemi të bashkuar dhe kur sakrifikojmë për shokun e skuadrës. Por kur kjo nuk ndodh, nuk mund të quhemi ekip i madh.”
Deco e bëri të qartë se problemi i vërtetë i Barcelonës nuk është mungesa e talentit, por e qëndrueshmërisë dhe e shpirtit luftarak:
“Nëse besojmë se cilësia vjen përpara punës, kemi një problem të madh,” – theksoi ai.
Këto deklarata janë konsideruar si një sinjal i qartë paralajmërues për lojtarët ‘blaugrana’, pas paraqitjeve zhgënjyese që kanë alarmuar klubin. Humbja në “Sánchez Pizjuán” ndaj Sevilla-s, ku skuadra nuk arriti të tregonte asnjë reagim, u pa si një pikë kritike në këtë fillim sezoni.
Deco, i cili është një nga figurat më me autoritet në drejtimin sportiv të klubit, kërkon që ky pushim për kombëtaret të shërbejë si pikë kthese për ekipin e drejtuar nga Hansi Flick, në mënyrë që Barça të rifitojë frymën dhe identitetin që e karakterizoi sezonin e kaluar.
“Vetëm me punë, bashkim dhe sakrificë do të jemi sërish Barcelona që magjepsi botën,” – përfundoi Deco.