Çështja e Julián Álvarez vazhdon të diskutohet, por Barcelona ka dashur të sqarojë pozicionin e saj. Drejtori sportiv Deco mohoi kategorikisht se klubi katalanas e ka nxitur sulmuesin argjentinas të dalë publikisht kundër Atlético Madridit për të favorizuar një transferim në “Camp Nou”.
“Jo”, – u përgjigj prerazi Deco kur u pyet nëse Barça kishte ndikuar tek Álvarez për të shprehur dëshirën e largimit nga “Colchoneros”. “Ne i kemi bërë gjërat siç duhet. Kemi paraqitur një ofertë zyrtare dhe nuk kemi marrë përgjigje. Ata na kanë thënë gjithmonë se nuk duan ta shesin dhe nuk mund të insistosh pafundësisht për të njëjtën çështje”, – shpjegoi ai.
Deco mohoi gjithashtu zërat për mënyrën e pagesës së ofertës prej 100 milionë eurosh, duke sqaruar se shuma ishte parashikuar të paguhej përgjatë tri sezoneve, një praktikë e zakonshme në tregun aktual.
Për raportin me drejtuesit e Atlético Madridit, ai shtoi: “Nuk kam asnjë problem me Mateu. Nuk e di nëse ai ka diçka kundër meje, sepse nuk i kam bërë asgjë. Kemi punuar bashkë te Barcelona”.
Në fund, Deco foli edhe për nevojën e Barçës për një “numër 9” klasik, duke përmendur Haaland, Lewandowskin, Eto’o dhe Luis Suárez si shembuj të një profili që po bëhet gjithnjë e më i rrallë.