Klima e tensionuar që rrethon Torinon, ku luan mbrojtësi i Kombëtares shiptare, Ardian Ismajli, i ka kaluar kufijtë e fushës. Disa akte të ulstrave kanë goditur edhe vendin e origjinës së presidentit të skuadrës, Urbano Cairo.
Mes të shtunës dhe të dielës, komunat e Masio dhe Quattordio në Alessandrino janë vënë në shënjestër të personave të panjohur, të cilët kanë shkruar muret dhe asfaltin me fraza kërcënuese ndaj Cairo. Episodi më i rëndë ka ndodhur në hyrje të varrezave të Masio, ku me spraj është shkruar një fjali në lidhje me prindërit e pronarit të Torinos (Nëna dhe babai Cairo të presin këtu sa më shpejt).
Sulmet kërcënuese të ultrasve kanë ardhur pas humbjes me Napolin. Kontestimi i tifozërisë është rritur dhe përveç frazave të zemërimit, janë shfaqur edhe mesazhe të drejpërdrejta ndaj presidentit (Do të paguash gjithçka, do ta paguash shtrenjtë), duke i uruar vdekjen atij.
Këto mesazhe kanë tronditur komunitetin, me të cilin Cairo është shumë i lirdhur. Për ngjarjet ka nisur tashmë një hetim. Vetë Urbano Cairo ka shprehur keqardhjen për atë çfarë ka ndodhur dhe ka pohuar se do të mbulojë shpenzimet për pastrimin e këtyre vendeve.