Çështja Mbappe vijon të jetë e nxehtë te Paris Saint Germain, me Al Khelaifin që ka urdhëruar të gjithë pjesëtarët e klubit të mos komentojnë asgjë që lidhet me 24-vjeçarin francez.
Synimi i kryeqytetasve është që të rinovojnë kontratën me Mbappe, ose ta shesin këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë, teksa për këtë arsye, e kanë lënë edhe jashtë skuadre.
Mbappe ëndërron kalimin te Reali i Madridit, që po merr kohë, për t’u paraqitur me një ofertë modeste në fund të merkatos dhe për të vënë me shpatulla pas murit francezët, që nga ana tjetër dëshirojnë ta shesin në Arabinë Saudite.
Al Hilal, që është në pronësinë e fondit saudit PIF, ka prezantuar një ofertë prej 300 milionë eurosh për PSG-në dhe 200 milionë eurosh në sezon për Mbappe, me kushtin që ai të firmosë një kontratë 3-vjeçare.
Klubi arab nuk është ndalur me kaq, pasi mediat franceze raportojnë se një delegacion i tyre ka zbarkuar tashmë në Paris, për të folur nga afër me Mbappe dhe për të provuar ta bindin që të pranojë ofertën.
Për këtë arsye, ata janë gati të pranojnë edhe një kontratë dy vjeçare nga Mbappe, me qëllim që sulmuesi më pas të jetë i lirë të transferohet te Reali i Madridit, klub që e ka ëndërr fëmijërie. A do të thyhet Mbappe nga milionat e Arabisë Saudite? Kjo mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme…