Tuesday, 24. November 2026
Sport

Delegacioni i UEFA-s viziton Kosovën, në fokus ndërtimi i stadiumit nacional dhe zhvillimi i infrastrukturës

GS 24/11/2026 7 Min. Lesezeit

Një delegacion i nivelit të lartë të UEFA-s ka qëndruar për dy ditë në Kosovë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve vendore dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me fokus zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe investimet strategjike në futboll.

Në përbërje të delegacionit ishin Petr Fousek, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetar i Komitetit për Stadiume dhe Siguri, si dhe Thierry Favre, drejtor i Programit HatTrick dhe i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, transmeton lajmi.net.

Gjatë vizitës, të shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ata u pritën në takim nga ministri i Sportit, Blerim Gashani. Në qendër të diskutimeve ishte avancimi i infrastrukturës së futbollit në Kosovë, vazhdimi i investimeve dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti.

Ministri Gashani falënderoi UEFA-n për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa vlerësoi edhe punën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai bëri të ditur se, përveç projekteve që tashmë janë duke u realizuar në disa stadiume, së shpejti pritet të ketë lajme edhe për nisjen e ndërtimit të stadiumit nacional.

Nga ana tjetër, Petr Fousek rikonfirmoi përkrahjen e UEFA-s për futbollin kosovar, duke vlerësuar punën zhvillimore të FFK-së. Ai theksoi se për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore është e domosdoshme edhe mbështetja e institucioneve shtetërore.

Ndërkaq, Thierry Favre vlerësoi progresin e futbollit kosovar ndër vite, duke veçuar Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali si një prej projekteve më të rëndësishme për zhvillimin e këtij sporti në vend.

Delegacioni vizitoi edhe Kampin Nacional në Hajvali dhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku u njoh nga afër me kapacitetet infrastrukturore, investimet e realizuara dhe nevojat për përmirësime të mëtejshme.

Vizita u përmbyll me një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ku tema kryesore ishte ndërtimi i një stadiumi të ri në kryeqytet.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe mundësia që Prishtina në të ardhmen të jetë nikoqire e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, përfshirë finalet e garave të UEFA-s.

Për realizimin e këtij synimi, u theksua nevoja për ndërtimin e një stadiumi modern, i cili do të përmbushte standardet më të larta të UEFA-s.

Palët vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s është thelbësor për realizimin e projekteve infrastrukturore që do t’i hapnin futbollit kosovar mundësi të reja zhvillimi dhe organizimi të garave ndërkombëtare.

Postimi i plotë: 

Delegacioni i UEFA-s në Kosovë, zhvillimi i infrastrukturës së futbollit në fokus të vizitës

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetari i Komitetit për Stadiume dhe Siguri, Petr Fousek, si dhe drejtori i Programit HatTrick dhe i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, Thierry Favre, kanë qëndruar për një vizitë dyditore në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet UEFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është pritur në takim nga ministri i Sportit, Blerim Gashani, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimi i infrastrukturës së futbollit, investimet strategjike dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e mëtejshëm të futbollit kosovar.

Ministri Gashani falënderoi UEFA-n për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin dhjetëvjeçar të futbollit kosovar në familjen evropiane të futbollit si të jashtëzakonshëm dhe shumë produktiv. Ai gjithashtu vlerësoi punën e FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, duke shprehur optimizëm për të ardhmen e futbollit në vend.
Ministri Gashani tha se krahas vazhdimit të punëve në stadiumet ku po punohet aktualisht, shumë shpejt do të dëgjohet lajmi për fillimin e ndërtimit të stadiumit nacional.

Ndërkaq, Petr Fousek theksoi se qëllimi i kësaj vizite është të rikonfirmojë mbështetjen e UEFA-s për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe të vlerësojë punën e vazhdueshme zhvillimore që po bëhet nën udhëheqjen e presidentit Ademi. Ai nënvizoi besimin e UEFA-s në punën dhe vizionin zhvillimor të FFK-së, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e mbështetjes së institucioneve shtetërore, veçanërisht në realizimin e projekteve infrastrukturore, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit.

Nga ana tjetër, Thierry Favre u shpreh se rikthimi në Kosovë ka gjithmonë një domethënie të veçantë për të, duke qenë pjesë e rrugëtimit të futbollit kosovar në UEFA që nga dita e parë. Ai vlerësoi progresin e arritur ndër vite, duke veçuar Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali si një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme zhvillimore në Kosovë.

Pas takimit me ministrin Gashani, delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga presidenti Ademi, vizitoi Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku u njoh nga afër me investimet e realizuara, kapacitetet infrastrukturore dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të këtij kompleksi. Kampi Nacional përbën një nga investimet më strategjike të FFK-së, me rëndësi të veçantë për përgatitjen e ekipeve kombëtare, zhvillimin e talenteve të reja dhe ngritjen e standardeve profesionale të futbollit në vend.

Në kuadër të qëndrimit të tyre në Kosovë, përfaqësuesit e lartë të UEFA-s vizituan edhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku u njohën nga afër me gjendjen aktuale të infrastrukturës, kushtet dhe kapacitetet e stadiumit që mirëpret ndeshjet ndërkombëtare të Kombëtares së Kosovës dhe klubeve në garat evropiane.

Ndërkohë, vizitën e tyre e përmbyllën me një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Në fokus të diskutimeve ishte ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, i cili u vlerësua si një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe avancimin e infrastrukturës sportive në vend.

Gjatë takimit u diskutua edhe për potencialin e Prishtinës që, në një të ardhme të afërt, të jetë mikpritëse e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, përfshirë edhe finalet e garave të UEFA-s. Në këtë drejtim, ndërtimi i një stadiumi modern, që përmbush standardet më të larta të UEFA-s, do të krijonte mundësi të reja për pozicionimin e kryeqytetit dhe të Kosovës në hartën e organizimeve të rëndësishme të futbollit evropian.

Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit ndërmjet FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s për realizimin e këtij projekti strategjik./lajmi.net/

⚽
UEFA Nations LeagueRezultati i fundit · Ndeshja e radhës · Tabela
Duke ngarkuar rezultatet…
Teilen: