Pas Olivie Zhirusë, i cili u rikthye para kohe nga kombëtarja franceze me ndrydhje në kaviljen e majtë, ndalet edhe Kalulu. Mbrojtësi po përballet me një problem muskulor që e vë në rrezik praninë e tij për derbin. Vlerësime dhe njohuri shtesë mjekësore gjatë gjithë javës.
Për Piolin një problem domethënës, duke pasur parasysh skualifikimin e Tomorit i cili u ndëshkua me karton të kuq kundër Romës. Nëse Kalulu nuk ia del, dyshja qendrore do të përbëhet nga Kjaer dhe Çau.
NGA SHIU NË BRESHËR
Pas tri ditëve pushim të dhënë nga trajneri, skuadra do të rifillojë stërvitjet në “Milanello” të martën, por lajmet e këqija për Piolin nuk kanë të sosur. Angazhimet e ekipeve kombëtare kanë qenë gjithmonë barra dhe kënaqësia e tifozëve. Nëse nga njëra anë është krenaria për të parë klubin e përfaqësuar në botë, nga ana tjetër ekziston frika e vazhdueshme se një ngarkesë e tepërt mund të ndalojë xhevahiret e ekipit të zemrës. Ky është rasti i tifozëve të Milanit, të cilët prej disa orësh kërkojnë lajme për të kuptuar se çfarë ndodhi me Teo Hernandezin dhe Majk Menjanë.
Aq më tepër, duke pasur parasysh edhe se derbi është vetëm pesë ditë larg (luhet të shtunën në 18:00). Në fakt, dy kampionët kuqezi të Francës nuk morën pjesë në stërvitje me kombëtaren. Për fat të mirë ishte vetëm një ndalesë paraprake dhe përpjekje për të shmangur lindjen e ndonjë problematike. Portieri iu nënshtrua trajtimeve të rikuperimit ndërsa, Hernandez u ndal pas një goditjeje të marrë në pulpë në ndeshjen me Irlandën.
Problemet e tyre, te paktën nga sa raporton “L’Equipe” nuk duken shkak për shqetësim. Të dy duhet të jenë të disponueshëm të shtunën për Inter-Milan, teksa ka disa pikëpyetje për aktivizimin e tyre në ndeshjen miqësore mes Gjermanisë dhe Francës që do të luhet nesër në Dortmund.
PANORAMASPORT.AL