Në minutën e katërt të Francë-Irlandë e vendosi këmbën keq në tokë. Shtrëngoi dhëmbët për 21 minuta të tjera e më pas Olivie Zhiru iu dorëzua dhimbjeve. Trajneri Deshamp pas ndeshjes deklaroi se lojtari kishte dhimbje të forta, por edhe se nuk bëhej fjalë për një dëmtim shumë serioz. 36-vjeçari ka pasur një nisje fantastike të sezonit dhe për Piolin do të ishte një humbje e madhe nëse ai nuk shërohet në kohë.
Dje Zhiru ka kryer testet mjekësore, të cilat kanë evidentuar një ndrydhje të lehtë, por të paktën nuk ka dëmtim të ligamenteve. Për më tepër, mbi tablonë e tij klinike ka folur vetë Zhiru që u është përgjigjur disa pyetjeve nga gazetarët, të cilët e kanë pritur për kthimin e tij në Milano. Ai do të kurohet ndërkohë që skuadra do të jetë tri ditë pushim me stërvitjet që do të nisin të martën.
Çfarë dëmtimi keni?
Të njëjtën kavilje e pata dëmtuar vjet ndaj Napolit pasi Kim më pati ndërhyrë rëndë. Është një dëmtim i menaxhueshëm, por normalisht që më shqetëson. Do të kisha dashur të luaja, por nga ana tjetër, nuk doja të rrezikoja më shumë sepse ndieja dhimbje të forta.
Milani ju pret për derbin, mendoni se do t’ia dilni të shëroheni?
Jam më mirë dhe nuk jam shqetësuar shumë. Më vjen keq që dola aq shpejt nga fusha, por mjekët më kanë dhënë siguri dhe mendoj se në derbi do të jem i gatshëm.
Do të ktheheni në Milano apo do të vijoni të qëndroni me grupin e Francës?
Jam në grumbullim e do të shohim se si do të zhvillohet situata e kaviljes. Kam ardhur për të luajtur dhe mund të jap kontributin tim nëse trajneri ma kërkon. Edhe pse miqësore, ajo ndaj Gjermanisë është një ndeshje ku të gjithë duan të luajnë.
Çfarë i thatë Markus Turamit pas golit të tij të parë në kombëtare?
Golin e Turamit nuk mund ta shoh sepse isha me mjekët në dhomën e zhveshjes. E urova kur u takuam, por edhe e qortova sepse pati mundësi për dopietë. Më vjen mirë që shënoi për herë të parë me kombëtaren. Jam shumë i lumtur për të dhe bëmë shaka në dhomat e zhveshjes.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL