Berat Gjimshiti ka dalë nga fusha e lojës që në minutat e parë të ndeshjes së Atalantës ndaj Udinezes këtë të shtunë.
Mbrojtësi ka marrë një dëmtim në kokë pas një përplasje dhe pasi u fashua, u dërgua në spital për kontrolle të mëtejshme.
Mjekët e spitalit të Udines konstatuan një traumë në kokë, si dhe një të çarë në vetull për të cilën iu deshën 10 qepje.
Një dëmtim i sikletshëm për lojtarin me vetë trajnerin Xhan Piero Gasperini që e ka komentuar si të pazakontë situatën e Gjimshitit i cili u largua i gjakosur nga fusha.
“I pashë pamjet. Një e çarë mbresëlënëse. Nuk e kuptoj se si mund të jetë hapur në atë mënyrë”, tha ai për dëmtimin në vetull të Gjimshitit, i cili gjithsesi udhëtoi rregullisht me ekipin për t’u kthyer në Bergamo. Mbetet të mësohet kur do të kthehet në fushë mbrojtësi, por me shumë mundësi do të humbasë ndeshjen e mesjavës ndaj Juventusit.