Kombëtarja e Turqisë ka siguruar kualifikimin në finalen e ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026, pasi mposhti Rumaninë me rezultat minimal 1-0. Megjithatë, fitorja u zbeh nga një lajm jo i mire për turqit, pasi mesfushori kryesor, Hakan Çalhanoğlu, pësoi një dëmtim në fund të ndeshjes.
Ylli i Interit u detyrua të largohej nga fusha në minutat e fundit, pasi ndjeu shqetësime gjatë një goditjeje nga distanca rreth minutës së 85-të. Ai u zëvendësua pak minuta më vonë, ndërsa dyshohet për një problem në pulpën e majtë – e njëjta zonë ku ishte lënduar edhe më parë gjatë këtij sezoni.
Gjendja e tij mbetet ende e paqartë dhe pritet të vlerësohet në ditët në vijim. Nëse dëmtimi rezulton serioz, Çalhanoğlu mund të mungojë në finalen vendimtare të ‘play-off’-it, ku Turqia do të përballet me Kosovën në Prishtinë.
Kujtojmë se 32-vjeçari ka pasur vështirësi me formën fizike gjatë vitit 2026, duke u aktivizuar në vetëm disa ndeshje të Serie A me Interin.