Juventus-Inter ka qenë gjithmonë një sfidë që nuk mund të kufizohet vetëm në kuadratin e blertë. Këtë herë pritja dhe tensioni për derbin e Italisë është edhe më i madh, duke qenë se zikaltrit dhe bardhezinjtë vijnë respektivisht, si vendi i parë dhe i dytë i kampionatit dhe premtojnë një spektakël që ka nisur prej javësh.
Nga shkëndijat në mesfushë, tek ato të merkatos dhe të deklaratave, JuventusInter është një duel që do të luhet në të gjithë fushën.
Trajnerët – Hakmarrje e Maksit, apo thyerja e tabusë së Simones?
Masimiliano Alegri për t’u hakmarrë, Simone Inzagi për të thyer një tabu. Titulli është sot më i rëndësishëm se kurrë për afirmimin e të dy trajnerëve. Maks ka fituar shumë në Torino, por në dy vitet e fundit, nuk i ka shkuar pranë luftës për titull dhe ka qenë jo pak herë në shënjestër. Deri para pak kohësh, shumë kërkonin ndryshim në stol dhe këtë herë, jo vetëm për një çështje thjesht estetike. Pasi ka rregulluar, të paktën në fushë, situatën në pjesën e dytë të sezonit të kaluar dhe duke e nisur mirë këtë vit, ai i ka heshtur kritikët e tij për momentin, por vetëm me titullin hakmarrja e Alegrit do të ishte vërtet e plotë. Inzagi iu afrua shumë titullit në sezonin 2021-22, duke humbur ballë për ballë me Milanin në ndeshjen e fundit të kampionatit. Tifozët e Interit e tretën me vështirësi suksesin e kushërinjve të tyre, por ishin fitoret e Kupës së Italisë që shpëtuan Simonen, ashtu si Superkupa e Italisë, të përsëritura më pas në sezonin pasardhës. Zikaltrit megjithatë, në sezonin 2022- 23, nuk ishin kurrë në garë për titullin edhe pse iu afruan një triumfi të bujshëm në Ligën e Kampionëve, duke humbur ndaj Mançester Sitit në finale. Kohërat në të cilat Inzagi ishte në diskutim kanë kaluar, por është e qartë se në vitin e tretë në Milano objektivi i parë është titulli, që do të ishte edhe i pari në karrierën e Simones si trajner. Në 2020-ën mbajti kreun në pjesën e parë të sezonit me Lacion, por rinisja pas pandemisë i dobësoi bardhekaltrit.
Pronësitë – Garancia e “Exor” dhe borxhi i Zhangut
Kryefjala e të dyja klubeve ka qenë rimëkëmbja. Në rezultatet neto me të cilat ata mbyllën pasqyrat e fundit financiare, kjo përpjekje mund të shihet qartë. Midis 2020-21 dhe 2022-23, Interi fillimisht zbriti nga 246 milionë euro humbje, në 140 milionë euro dhe më pas në 85 milionë euro, ndërsa Juventusi nga 227 milionë euro humbje, shkoi në 239 milionë euro dhe më pas në 124 milionë euro. Mes kursimeve, fitimeve kapitale dhe sponsorëve më të mëdhenj, zikaltrit do të vazhdojnë të përmirësohen, ndërsa për bardhezinjtë mungesa e rreth 90 milionë eurove nga Kupat do të peshojë këtë sezon. Ky trend rëndon mbi të gjitha koston e skuadrës. Duke mbledhur pagat dhe amortizimin e kartonëve, Juve arrin në 401 milionë euro dhe Interi arrin në 287 milionë euro. Edhe në nivelin e të ardhurave diferenca është ngushtuar, por të paktën në këtë drejtim Juve mbete dukshëm përpara sepse na shfaqen shifrat 437 milionë euro kundrejt 386 milionë euro. Megjithatë, është për sa u përket borxheve që barra u bie të dyve, sidomos nëse krahasohet me Milanin “virtuoz”. Në 30 qershor 2023, borxhi financiar neto në Milano është 437 milionë euro kurse në Torino 340 milionë euro. Megjithatë, Juve mund të buzëqeshë për tablonë financiare dhe të kapitalit dhe ndryshimi atje është bërë tërësisht nga soliditeti i pronësisë. Midis 2019-ës dhe 2021- shit, aksionerët e Juves të udhëhequr nga “Exor” kanë kryer dy rifinancime për 700 milionë në 2021 dhe një i tretë për rreth 200 milionë do të përfundojë në 2024-ën. Nga ana tjetër, rubinetet janë mbyllur nga Kina, tanimë e tashmja dhe e ardhmja rrotullohen rreth huasë që Zhang ka marrë në maj të 2021-shit. 175 milionë euro ishte huaja që Zhang ka marrë ndaj “Oaktree”, me një normë interesi prej 12% dhe duke lënë aksionet e klubit peng. Shumë shpejt, do të vijë koha e vendimit, me afatin e shlyerjes që skadon më 20 maj 2024. Gjithsesi në çdo rast, në 30 qershor të 2023-shit, vlera neto e konsoliduar e klubit të tij ishte negative me 162 milionë euro, ndryshe nga një plus 42 e qetë e rivalëve të tij.
Ndeshjet fitohen në mesfushë thonë ekspertët. Në mesfushë Juventusi dhe Interi kanë, për arsye të ndryshme, dy lojtarët që mishërojnë vetë shpirtin e skuadrave, që janë vrapimi dhe grinta kundrejt driblimit. Këtu është fytyra e Adrien Rabiosë në njërën anë, dhe nga ana tjetër, shikimi që nuk i tradhton emocionet i Hakan Çalhanoglusë. Francezi është imazhi i Juventusit luftarak të këtyre muajve të parë të sezonit. Ai është solid, fizik dhe i ashpër. Po ashtu, turku është truri i një Interi që i pëlqen të merret me topin, të komandojë lojën, të krijojë mundësi. Prandaj, pritet një duel i fuqishëm, i cili mund të orientojë ndeshjen. Rabio tashmë e ka ndëshkuar Interin sezonin e kaluar, duke shënuar të parin nga dy golat e Juventusit në ndeshjen e parë në shtëpi (2-0). Çalhanoglu shënoi në Torino penalltinë që mposhti Juventusin (1-0), në ndeshjen e dytë 2021-2022. Francezi në mënyrë të çuditshme zgjodhi të qëndrojë në verë, duke rinovuar për një vit pavarësisht përjashtimit nga kupat evropiane të “zonjës”, ndërsa turku u lidh me zikaltrit deri në vitin 2027. Tani ai nuk është më ishlojtari i Milanit që ndryshoi fanellën, por një nga idhujt e tifozëve të tij. Ata kanë krijuar një kor personal për të dhe duket se Hakan e dëgjon edhe privatisht për t’u karikuar. Pauza e kombëtareve i peshoi më pak se të tjerëve, duke qenë se u kthye në Itali për shkak të gripit. Nuk ka asnjë dyshim ama për praninë e tij në Torino. Ai do të jetë në vendin e tij, në qendër duke shpërndarë letrat e dorëzuara nga Inzagi. Alegri do të përpiqet t’i heqë oksigjenin, ndoshta duke përdorur kartën Rabio. Dyshja mund të gjendet edhe ballë për ballë, nëse trajneri vendos ta aktivizojë para mbrojtjes Rabionë, aty ku do të marrë vendin e Lokatelit të dëmtuar.
Strategjia – Lojëra fjalësh për favoritin
Rruga drejt derbit të Italisë është kthyer në një luftë rraskapitëse nervash prej javësh. Një sërë deklaratash të mprehta, për të përcaktuar se kush është me të vërtetë favoriti për të fituar titullin. Rrallëherë ka qenë e tillë dëshira për të ushtruar presion ndaj rivalit me qëllimin evident për të destabilizuar “armikun”, por edhe për të lehtësuar barrën nga supet e veta. Strategjia e të dy klubeve është e ngjashme, por ka protagonistë të ndryshëm. Nga njëra anë, Alegri flet si menaxher anglez kur, sa herë që ka mikrofonin para, u kujton të gjithëve mantrën e tij. Sipas tij, janë të tjerët (Interi në radhë të parë) që do të luajnë për titullin, ndërsa Juventusi i tij ka vetëm objektivin modest të vendit të katërt. Parimi nuk do të ndryshojë edhe në rast të parakalimit të zikaltërve të dielën. Maksi, që ka bërë lepurin prej një jete, di të sillet edhe si gjahtar. Nga ana tjetër, Bepe Marotta e njeh shumë mirë Alegrin dhe Juventusin, por ai është edhe më i vetëdijshëm për forcën e Interit të tij shumë europian. Ja qenë ai ama që ka deklaruar disa herë: “Është Juvja favorite, sepse nuk luan Kupat”. Sigurisht, kur Liga e Kampionëve të nxehet nga shkurti e në vazhdim, përgatitja e ndeshjeve për një javë të tërë do të ndihmojë. Por çfarë qëndron në të vërtetë pas kësaj loje të vogël fjalësh që shoqëron derbin italian? Të gjithë mbrojnë me krenari shtëpinë e vet, por nëse Interi ka vite që po bën merkato pa investuar realisht, Juvja po ecën më shpejt në renditje se kritikët.
Merkato – Zielinski dhe Djalo, objektivat e përbashkët
Juve dhe Inter premtojnë gjithashtu shkëndija në merkato, ku tashmë kanë identifikuar të paktën dy objektiva të përbashkët për verën e ardhshme. I pari është Piotr Zielinski, i cili përjashtuar ndonjë surprizë, do të çlirohet nga Napoli me një transfertë të lirë në korrik. Kristiano Xhuntoli e njeh shumë mirë mesfushorin polak, pasi e ka sjellë personalisht tek “axurrët” në vitin 2016. Së bashku ata, fituan titullin e fundit dhe respekti i ndërsjellë ka mbetur i paprekur, pavarësisht lamtumirës me Napolin e drejtorit aktual të Juventusit, i cili tani shpreson ta çojë atë në Torino në vitin 2024. Zielinski, megjithatë, është gjithashtu në syrin e Interit dhe Bepe Marotta ka eksploruar tashmë me agjentin e polakut, Bartlomiej Bolek, mundësinë e një transferimi në Milano për një pagë më të lartë se 4 milionë euro në sezon, një shifër që mund të barazohet apo edhe të përmirësohet nga bardhezinjtë, veçanërisht nëse Rabio largohet. E njëjta edhe për Djalonë, mbrojtësin e Lilës, kontrata e të cilit skadon në qershor. Si Juve ashtu edhe Interi kanë bërë lëvizje për portugezin, por me zikaltrit aktualisht të avantazhuar.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL