Derbi i Italisë mes Juventusit dhe Interit nuk solli vetëm emocione për rivalitetin historik, por u kthye edhe në një histori familjare unike. Vëllezërit Marcus dhe Khephren Thuram ishin protagonistë absolutë, duke shënuar të dy në këtë përballje të zjarrtë.
Marcus, gol i rëndësishëm dhe festim i matur
Në minutën e 76-të, Marcus Thuram shënoi golin e tretë për Interin, duke e çuar rezultatin në 3-2. Përballë një rivali të madh si Juventusi, sulmuesi 28-vjeçar e mbajti të kontrolluar gëzimin, por pak më vonë nuk e fshehu dot festimin e tij karakteristik.
Khephren, gol me kokë dhe festim i zjarrtë
Vetëm gjashtë minuta më pas, në të 82-ën, vëllai i tij më i vogël, Khephren Thuram, i dha Juventusit barazimin 3-3 me një gol të bukur me kokë. Mesfushori 24-vjeçar festoi me gjithë shpirt, duke rrahur gjoksin dhe duke përsëritur gjestin e Marcus-it, në një moment që ndezi edhe më shumë emocionet e ndeshjes.
Babai Lilian Thuram, mes krenarisë dhe nostalgjisë
Në shkallët e stadiumit, babai i tyre, ish-mbrojtësi legjendar Lilian Thuram, nuk i fshehu emocionet. Ai u duk më i lumtur për golin e Khephrenit, edhe për faktin se është tifoz i Juventusit, klub ku ai vetë ka luajtur për pesë sezone.
Polemikat pas ndeshjes
Një moment i kapur nga kamerat solli diskutime mes tifozëve të Interit: Marcus u pa duke buzëqeshur teksa arbitri kontrollonte VAR-in për një gol të mundshëm 4-3. Por Khephren doli në mbrojtje të të vëllait:
“Nuk po qeshnim. Ai më shikoi me sytë e një vëllai të madh krenar për mua. Ai dhe babai më ngacmojnë shpesh sepse nuk shënoj me kokë, por tani jam i lumtur që e bëra,” – tha mesfushori pas ndeshjes.
Një derbi i paharrueshëm, ku rivaliteti mes Juventusit dhe Interit u shoqërua nga një skenë e rrallë familjare me vëllezërit Thuram në qendër të vëmendjes.