Ky është ndoshta një nga sezonet më të komplikuara në vitet e fundit për Milanin, me rrezikun konkret për të mbetur edhe pa pjesëmarrje në ndonjë turne kontinental. Në një kampionat katastrofik nën drejtimin e Fonsekës dhe Konseisaos, shpresa e fundit për Europë kalon nga Kupa e Italisë në gjysmëfinalen e nesërme kundër Interit. Sepse nga Liga e Kampionëve në asgjë do të ishte dështim, teksa nga asgjëja në Ligën e Europës, nga ana tjetër, mund të ishte një ngushëllim, edhe pse i vogël.
SA PAK PIKË – Humbja në shtëpi ndaj Atalantës konfirmon vështirësitë e “Djallit”, pasi nuk duket në gjendje të jetë cinik dhe të përfitojë nga mundësitë. Për më tepër, kur kuqezinjtë nuk arrijnë të gjejnë ekuilibrin, ata depërtohen me lehtësi në rastin më të parë. Një skenar që milanistët e kanë përjetuar shumë shpesh këtë vit dhe që shpeshherë është arkivuar me disfatën. Pasoja janë pasqyruar edhe në renditje me Milanin që po regjistron sezonin më dobët në 30 vitet e fundit, për sa u përket pikëve.
Mungojnë fitore me të ashtuquajturat të vogla, teksa me të mëdhatë, Milani është paraqitur si provincial. Pikët e marra janë vetëm 8 nga 42 të mundshme, me kuqezinjtë që kanë vuajtur shumë me të gjitha ekipet që i paraprijnë në renditje. Paradoksalisht, maksimumi i Milanit në këtë aspekt është arritur kundër Interit. 4 nga 6 të mundshme, teksa Bolonjës, Napolit dhe Atalantës nuk ka arritur t’i rrëmbejë asgjë.
TRIUMF OSE DËSHTIM – Nuk është mister që sfida ndaj Atalantës ishte e vështirë, por pritej një përgjigje reaguese. Diçka që ka munguar dhe që në kuadër të ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Interit, është shqetësuese.
Në “San Siro”, në ndeshjen e parë erdhi një 1-1, i vulosur nga golat e Abraham dhe Çalhanoglusë, por nesër zikaltrit do të kenë stadiumin në anën e tyre. Një ndeshje që vlen dyfish, nëse jo trefish, sepse fitimi i një derbi ka gjithmonë një shije tjetër dhe ta bësh atë për të arritur në një finale që mund t’i hapë dyert Europës, e bën edhe më shumë të rëndësishëm. Aq më tepër që Milani ka shansin të shkatërrojë ëndrrën e Interit për “tripletë”.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL