Në Milano kanë nisur ethet e derbit. Interi dhe Milani do të ndeshen pasditen e së shtunës më të barabartë se kurrë për sa i përket pikëve dhe renditjes, me qëllimin për të vendosur diktatin e tyre në qytet dhe në kampionat.
Por përveç “betejës” në fushë, derbi do të ketë edhe anën tjetër, atë të miqësive të mira që do të synojnë të jenë një nga armët kryesore të skuadrës respektive për të shkuar te fitorja. Lautaro-Turam dhe Pulisiç e Loftus-Çik janë ata që më së miri personifikojnë raportet brenda dhe jashtë fushe, që në këto ditë para derbit duket se janë forcuar.
ZIKALTRIT – Lautaro dhe Turam janë dyshja e re e sulmit e Simone Inzagit. Të dy janë të angazhuar me kombëtaret përkatëse, por mendja e tyre është padyshim te dueli i së shtunës ndaj Milanit. Pikërisht në lidhje me derbin kanë qenë edhe bisedat e fundit mes dyshes, siç tregon “La Gazzetta dello Sport”. Edhe pse të dy janë në grumbullimet me Francën dhe Argjentinën, kontaktet telefonike mes tyre kanë qenë të pandërprera dhe tema është sfida ndaj kuqezinjve.
Të dy bëjnë shaka, informojnë njëri-tjetrin për kushtet e tyre fizike, inkurajojnë njëri-tjetrin dhe presin. Ky është padyshim toni i thirrjeve telefonike dhe bisedave në “WhatsApp” midis të dyve, me Lautaron që nuk harron ama të luajë rolin e kapitenit dhe si më i vjetri i grupit i zbulon sekretet shokut të tij të repartit. Ndjesia mes tyre nuk është vetëm në fushë, por edhe jahstë saj.
Kjo e bën çiftin një prej atyre mbi të cilin bazohen shanset e kampionatit. Turneu në Japoni ndihmoi që raporti mes të dyve të rritej. Në ato ditë Markus po hidhte hapat e tij të parë te zikaltrit, gjithçka duhej kuptuar dhe menaxhuar nga francezi dhe Lautaro ishte shembullor në këtë.
Ndoshta sepse “demi” e ka të lehtë të kujtojë vështirësitë në hapat e tij të parë tek Interi. E vërteta është se Turam i impresionoi të gjithë brenda Interit, jo vetëm shokët e tij dhe Lautaron, por edhe Inzagin, që vlerësoi mënyrën si francezi u paraqit në aventurën zikaltër. Markus zgjodhi Interin, duke lënë mënjanë ofertën e Milanit dhe pas derbit të merkatos synon të jetë sërish protagonist në derbin e fushës që vlen tri pikë.
KUQEZINJTË – Ruben Loftus-Çik dhe Kristian Pulisiç pushtojnë krahun e djathtë të Milanit dhe mbështesin njëritjetrin. Loftus, si mesfushor, mbron dhe mbulon edhe hapësirat që lë Pulisiç kur i duhet të depërtojë në zonat kundërshtare. Ndjenja mes tyre dëshmohet edhe nga aksioni kundër Torinos, një trekëndësh shumë i suksesshëm. Pulisiç merr topin në mesfushë, e pason për Loftus-Çik i cili fluturon në zonë dhe i shërben një asist perfekt shokut të tij, i cili mbyll aksionin në shtyllën e dytë.
Në festën e tij, numri i ri 11 i kuqezinjve u gjunjëzua para turmës në “San Siro”, por më parë tregoi me gisht Loftusin, për t’i treguar që ishte meritë e tij. Në fakt, raporti shkon përtej gjeometrisë dhe taktikave: Ruben dhe Kristian kanë kaluar tashmë tre sezone së bashku në Londër dhe që nga vera janë gjetur krah për krah në Milano. Në javët e para qëndruan në të njëjtin hotel dhe udhëtuan së bashku drejt “Milanelo”-s me Loftusin në timon dhe jo pak herë e kanë shijuar së bashku qytetin. Loftus-Çik mbërriti i pari në Milano dhe në mesin e korrikut mbërriti edhe Pulisiç. “E di që do të arrijë nesër sepse ne kemi folur tashmë. Jam i kënaqur me blerjen e tij, do të na japë një dorë të madhe. Është ndër lojtarët më të mirë në botë.
Kam luajtur me të për një kohë dhe në Milano do të kemi të gjitha mundësitë për të demonstruar të gjitha cilësitë e tij dhe atë që ai di ta bëjë. Ne duam të shtyjmë njëri-tjetrin dhe të mbështesim njëri-tjetrin për t’u përmirësuar”, deklaronte anglezi për amerikanin, që ishte përgjigjur me dashuri në ditën e tij të parë me kuqezinjtë. “Kam folur me Piolin dhe disa ish-shokët e skuadrës që janë tashmë këtu. Ata më bindën më tej për zgjedhjen”, tha Pulisiç. Tani të dy së bashku në të djathtë po përpiqen të balancojnë Milanin dhe peshën e Leaos në të majtë, me synim si gjithmonë fitoren.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL