Didier Deschamps do të vazhdoj të mbetet trajner i Kombëtares së Francës përkundër eliminimit të “Gjelave” në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”. Franca u eliminua nga Spanja në gjysmëfinale me rezultatin 2:1 edhe pse ishte favorite për ta fituar turneun para fillimit të tij. Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Philippe Diallo ka pasur lëvdata për trajnerin Deschamps dhe punën e tij që e ka bërë me ekipin. Sipas kreut të federatës, trajneri Deschamps i ka arritur objektivat që i kishin vendosur para Kampionatit Evropian. Diallo ka thënë se Deschamps e dërgoi Francën deri në gjysmëfinale dhe për këtë arsye do ta vazhdoj punën e tij. Deschamps prej vitit 2012 është në krye të Francës dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2026. Franca është kritikuar për lojën e saj në Evropian pasi ka shënuar vetëm një gol nga loja e hapur. Nën drejtimin e Deschampsit, Franca ka triumfuar në Kupën e Botës 2018 dhe arriti në finale të Botërorit 2022 dhe Evropianit 2016.
ADVERTISEMENT