Franca u rikthye në gjysmëfinalet e Europianit pas tetë vitesh, teksa dy herë kampionët e Europës kaluan me shumë vështirësi Portugalinë.
Një takim i luftuar, por me rrjeta të paprekura që në fund u vendos nga penalltitë dhe Franca siguroi kalimin e një turi nga seria e penalltive pas vitit 1998.
Tashmë, Franca do të masë forcat me Spanjën në gjysmëfinale, ndërsa pas takimit me portugezët, Didier Deschamps u shpreh shumë i lumtur për suksesin, por theksoi gjithashtu se eliminuan një kundërshtar shumë të vështirë.
“Shumë e vërtet, kishim një rekord negativ nga penalltitë, por në fund ia dolëm dhe jam shumë i lumtur.
Në korrikun e vitit 1998 ne fituam kundër Italisë, po në çerekfinale, por unë nuk gjuajta, Ka kaluar shumë kohë, atë edicion ne fituam kupën e botës, ndërsa dua të them që në këtë ndeshje ne eliminuam një kundërshtar shumë të fortë si Portugalia. Një skuadër e shkëlqyer, që na e bënë më të vështirë në kohën shtesë.
Tani jemi në gjysmëfinale, duhet të argëtohemi, të luajmë lojën tonë sepse ende nuk e kemi treguar potencialin që disponojmë. Kur shoh tifozët që janë të lumtur me skuadrën është një burim krenarie për lojtarët e mi edhe për mua. Ne nuk dorëzohemi” – tha Deschamps.
Më pas, trajneri u pyet edhe për faktin që Franca shkoi në gjysmëfinale pa golat e saj, me Griezmann dhe Mbappe në formë të dobët, teksa Deschamps tregoi edhe arsyen e zëvendësimit të Kylian.
“Natyrisht ka arsye të ndryshme që Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe nuk janë në krye të skuadrës, por ata janë aty për ne dhe ne jemi aty për ata. Të dy duhet të përmirësojnë efikasitetin përpara portës, gjë që në këtë rast nuk po arrijmë ta kemi. Por, ne jemi një grup i fortë, i bashkuar dhe i japim forcë njëri-tjetrit. Zëvendësimi i Mbappe?
Kylian është gjithmonë i sinqertë me mua dhe me grupin. Në momentin që ai e kuptoi se nuk ishte në gjendje të jepte maksimumin ne bëmë atë lëvizje. Ai ka pasur shumë problem si dhimbjet e shpinës, goditja në hundë, ai nuk është në maksimumin e tij, kjo është e gjitha” – përfundoi Deschamps.