Barcelona tashmë duhet të dorëzohet para faktit se do të nisë sezonin e ri pa asnjë element shumë të rëndësishëm për sulmin e Çavit siç është Ousman Dembele. Futbollisti francez, po bëhet gati të kthehet në vendlindje, në radhët e PSG-së, që do të paguajë para të hënës në mesnatë klauzolën e tij.
Klubi shpresonte që Dembele të mos tundohej nga oferta parisiene, por sipas asaj që ka mësuar “AS”, PSG nuk do ta lërë t’i ikë nga duart një mundësi kaq e mirë për sulmuesin anësor. Deri më datë 31 korrik, klauzola e tij e largimit është 50 milionë euro dhe më pas dyfishohet në 100 milionë euro. Nga klubi katalanas kanë konfirmuar se të premten në darkë, PSG i ka kërkuar zyrtarisht leje për të negociuar me lojtarin, pasi ka ndër mend të paguajë këtë klauzolë.
Kështu, në klub janë të dorëzuar pasi e dinë që Dembele do të largohet, edhe për faktin se do të përfitojë një shumë të majme përtej rrogës. Në klauzolën që ishte vendosur në kontratën e tij, parashikohet që në llogarinë e Dembele do të kalojë 25% e shumës të kësaj klauzole të reduktuar. Një arsye më shumë pse ai është gati t’i thotë “po” parisienëve dhe të hënën, të bëjë zyrtare transferimin në radhët e tyre.
PANORAMASPORT.AL