Protesta e ditës së katërt në Tiranë është shoqëruar me incidente dhe përplasje, që kanë sjellë një numër të lënduarish të dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës.
Sipas përditësimit të bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë, deri në orën 18:45 janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës 11 persona të lënduar, mes tyre protestues, efektivë policie dhe kalimtarë të rastësishëm.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 11 të lënduarit, gjashtë janë protestues, tre prej të cilëve të mitur. Po ashtu, për ndihmë mjekësore janë paraqitur tre efektivë të Policisë së Shtetit dhe dy kalimtarë.
Aktualisht, në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës vijojnë të marrin asistencë mjekësore dy protestues, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe po i nënshtrohen ekzaminimeve. Në spital ndodhet gjithashtu edhe një efektiv policie, gjendja shëndetësore e të cilit raportohet e mirë.
Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se po vijon monitorimi dhe trajtimi i rasteve që paraqiten në spital, ndërsa bilanci i të lënduarve mund të përditësohet në varësi të zhvillimeve të mëtejshme.
Përditësimi i Ministrisë së Shëndetësisë (ora 18:45)
11 të lënduar gjithsej;
6 protestues, mes tyre 3 të mitur;
3 efektivë policie;
2 kalimtarë.
Aktualisht në urgjencën e SUT ndodhen:
2 protestues, në gjendje të mirë shëndetësore, duke u ekzaminuar;
1 efektiv policie, në gjendje të mirë shëndetësore.
/rtsh.al/