Një ngjarje e rëndë është regjistruar në territorin e bashkisë Dibër, ku është gjetur trupi i pajetë i një të moshuare që rezultonte e zhdukur prej muajsh. Trupi është arritur të lokalizohet në një zonë rurale të braktisur, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet në terren.
“Rreth orës 14:50, në një sipërfaqe toke djerrë, në fshatin Potgorcë, Maqellarë, është gjetur pjesërisht i dekompozuar trupi i shtetases Z.D., 73 vjeçe,”, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të policisë.
E moshuara rezultonte e shpallur në kërkim prej korrikut
Sipas verifikimeve të para zyrtare, 73-vjeçarja ishte larguar nga banesa e saj muaj më parë. Nga të dhënat paraprake të grumbulluara nga familjarët dhe autoritetet, e moshuara përballej me probleme të shëndetit mendor.
“Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim në muajin korrik 2026, pasi ishte larguar nga banesa e saj. Ajo dyshohet se vuante nga sëmundja e sklerozës,”, sqarojnë burimet policore.
Ekspertët kriminalistikë dhe shërbimet e policisë po vijojnë ekzaminimet në vendin ku u gjet trupi, me qëllim përcaktimin e saktë të shkaqeve të humbjes së jetës.
“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes,”, përfundon njoftimi paraprak i policisë.
/rtsh.al/