Trajneri i Dinamos, Ilir Daja ka folur në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjës së kundër Atletic Club D’Escaldes, e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Ndonëse “blutë” janë shumë pranë kualifikimit në turin tjetër, pasi kanë fituar 2-1 në transfertë në ndeshjen e parë, tekniku kërkon një tjetër sukses në “Elbasan Arena”, që Dinamo të vazhdojë rrugëtimin në Europë.
“Kemi bërë një hap të mirë në ndeshjen e parë, jo vetëm në rezultat, por që kemi bërë një pjesë të dytë goxha të mirë. Dihet që këto ndeshje nuk përfundojnë me ndeshjen e parë, por duhet akoma më shumë të jemi të fokusuar nesër pavarësisht rezultatit që kemi marrë në Andorra.
Si në çdo ndeshje meraku më i madh është si do jetë ekipi nesër. Në periudhë vere gjendja e ekipeve është e luhatshme, për shkak të mungesës së ritmit të lojës. Shpresojmë që me kontigjentin që kemi në dispozicion të japim më të mirën e mundshme, jo vetëm për të prezantuar Dinamon në Europë pas shumë vitesh mungesë, por edhe për të përfaqësuar nivelin e futbollit shqiptar në arenën europiane.
Do të thoja që ne do e konsiderojmë startin e ndeshjes sikur ndeshja në Andorrë ka dalë barazim. Nuk do nisemi nga ajo çfarë kemi bërë në Andorrë, që të futemi me 100% tonë. Këto ndeshje duan të kesh motivim dhe të përqendrohesh nga minuta e parë deri në fund, për të qenë i favorizuar për kalimin më tej.
Edhe kur kam arritur në grupe në drejtimin e Skënderbeut dhe Ballkanit, nuk e kam menduar në turin e dytë kualifikues shkuarjen në grupe. I kemi marrë gjërat hap pas hapi. Këtë gjë do bëjmë edhe me Dinamon, pastaj do shohim deri ku mund të arrijmë”, ka thënë mes të tjerash Ilir Daja.