Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka folur për mediat në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Audës, e vlefshme për turin e tretë të Conference League. “Blutë” u mundën 1-0 në ndeshjen e parë në Letoni, por tekniku beson tek përmbysja nesër në mbrëmjë në “Elbasan Arena”.
“Duhet patjetër që të jemi në ekuilibër gjatë gjithë kohës që të mos i lëmë kundërshtarit hapësirë, pasi ka lojtarë që individualisht mund të na dëmtojnë. Nuk duhet ta kemi mendjen te rezultati por te ajo që i themi ne manovër dhe ekuilibër.
Po të nisemi nga rezultati, kur thuhet nuk funksionoi do të thotë rezultati, por skuadra bëri lojën e vet. Ishte në fushë gjatë të gjithë 90 minutave. Prandaj citova që ne pak a shumë duhet të bëjmë të njëjtën lojë, por të jemi më efikas para portës. Rastet që na u krijuan duhet t’i shfrytëzojmë me më shumë efikasitet.
Eksperienca është goxha e madhe, të them të drejtën. Nesër është ndeshja e 66-të e imja në kompeticionet europiane, me 16 kualifikime. Por besoj që eksperienca vjen në plan të dytë, sepse nesër primarë janë gjithmonë lojtarët, çfarë do të bëjnë ata në fushën e lojës. Ne, si herët e tjera, duke parë që çdo lojtar ka dhënë maksimumin dhe grupi ka qenë në të dyja fazat e lojës bashkë, besojmë që kjo mund të na çojë drejt një rezultati pozitiv. Ndërsa eksperienca do të na ndihmojë që në situatat e lojës, të bëjmë zgjedhjet e duhura edhe në bazë të manovrës që do të ketë kundërshtari”, ka thënë mes të tjerash Daja.