Flitej prej kohësh, por tashmë është zyrtare: Dritan Mehmeti nuk është më trajner i parë i Dinamo City. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, klubi njoftoi pezullimin e tij nga detyra, një term që bëri zhurmë pas divorcit të Orges Shehit nga Tirana.
Mehmetit i është ofruar posti i trajneri të ekipit U-21, një pozicion që tekniku e ka mbajtur edhe në të kaluarën te Dinamo City.
Mësohet se drejtuesit e Dinamos kanë gjetur prej kohësh akordin me trajnerin e Ballkanit, gjithçka është e mbyllur, ndërsa pritet vetëm që Daja të largohet zyrtarisht nga ekipi i Ballkanit, diçka që pritet të ndodhë pas kësaj javë, në mënyrë që Daja dhe Dinamo të kenë pak më shumë kohë për të përgatitur pjesën e mbetur të sezonit, duke shfrytëzuar pauzën që do të sjell Kombëtarja.
Daja është njeri i shtëpisë, një personazh ikonë i këtij klubi, fitues i titullit kampion. Daja vlerësohet shumë në botën e treningut në Shqipëri dhe jo vetëm pasi ka bërë historinë në Evropë, duke prekur fazën e grupeve me dy ekipe Skënderbeun dhe Ballkanin. Aventura e fundit e Dajës në Shqipëri ka qenë në krye të Partizanit.