Trofeu i Superkupës së Shqipërisë ishte mbyllja ideale që Dinamo mund t’i bënte vitit 2025. Duke shtuar fitimin e Kupës së Shqipërisë në maj po ndaj Egnatias në finale, si dhe paraqitjen mbresëlënëse në Europë, ku shkoi deri në Play-off-in e Conference League, ky vit ka rikthyer “Nëndetësen” që duan të gjithë.
Një vit të suksesshëm e ka konsideruar 2025-ën presidenti Adrian Bardhi në urimin e fundvitit të publikuar në faqen zyrtare të klubit. Ai shprehet se këto suksese e motivojnë Dinamon për të fituar trofe të tjerë, duke i “vënë syrin” titullit kampion.

Postimi i plotë i klubit blu:
Të nderuar dinamovitë
Duke ju falënderuar nga zemra për mbështetjen tuaj të madhe, si president i ekipit, kam kënaqësinë të ndaj me ju urimin e këtij fundviti…
Mbyllim së bashku një 2025 mjaft të suksesshme për klubin tonë, me dy trofe të fituar, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Trofe që mungonin prej shumë vitesh. Emocione të forta Dinamo jonë na dhuroi edhe me rikthimin në Europë pas shumë vitesh.
Janë këto suksese që na forcojnë dhe na motivojnë për të shkuar drejt majave të futbollit shqiptar dhe jo vetëm. Të gjithë bashkë e çojmë këtë emër të madh atje ku e meriton.
Gëzuar 2026 për gjithë familjen tonë të madhe dinamovite! Uroj dhe shpresoj të festojmë së bashku titullin kampion!
Me respekt dhe mirënjohje, presidenti FC Dinamo, Adrian Bardhi


