Wednesday, 18. February 2026
Sport

Dinamo mbush 76 vjeç!

GS 18/02/2026 2 Min. Lesezeit

Dinamo 76 vjeç. Më 18 shkurt 1950, një grup futbollistësh merrnin iniciativën për të krijuar ekipin Dinamo. Një emër që do të shndërrohej në një emblemë, në simbol të lojës së bukur e teknike, simbol të fitores dhe kulturës sportive, e cila me nisjen e Kampionatit Kombëtar kurorëzohej me fitimin e titullit të parë kampion në Shqipëri. Më 18 qershor të po atij do të krijohej KS Dinamo, klubi që do të dominonte sportin shqiptar në tërësi, jo vetëm futbollin.

18 tituj kampion të Shqipërisë, 14 Kupa të Shqipërisë dhe 3 Superkupa flasin qartë për atë çfarë Dinamo përfaqëson në futbollin shqiptar. Kupa e Shqipërisë e fundit ishte në sezonin 2024-2025, kurse Superkupa e Shqipërisë në dhjetorin e 2025-ës. Në të dyja rastet përballë Egnatias me të cilën këtë fundjavë ekipi aktual i drejtuar nga Ilir Daja do të ndeshet në Rrogozhinë.

Në historinë e klubit blu figura të spikatura gdhendën me gërma të arta emrin e Dinamos duke nisur nga Zihni Gjinali e Skënder Jareci për të vazhduar me Stavri Lubonja, Iljaz Çeço, Faruk Sejdini, Vasillaq Zëri, Sulejman Demollarit, Ilir Përnaskës, Andrea Marko, Shyqyri Ballgjini, Muhedin Targaj, Eduard Abazit e shumë e shumë të tjerë.

Klubi aktual i Dinamos, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka bërë dhe një urim e një falënderim për të gjithë ata që kanë derdhur djersë për t’i dhënë lavdi dhe krenari këtij klubi legjendar!

Teilen: